Bedri Hamza, është zgjedhur sot kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.
Lidhur me këtë në emisionin DPT te Fidani, ka folur Ehad Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Miftaraj tha se Hamza është figurë unifikuese që nuk e përjashton askënd.
“Ajo çka besoj se e karakterizon z. Hamza është se ai është një figurë unifikuese, është një figurë që nuk e përjashton thuajse askënd. Është një figurë që ka ditur të afrojë në kohërat më të vështira, po flas në kohën sa ka qenë ministër. Pra, di të ndërtojë ura bashkëpunimi edhe me Vetëvendosjen, LDK-në, AAK-në por edhe me parti të tjera”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Sipas tij, bazuar në sondazhe, Bedri Hamza është një nga më të pëlqyerit në PDK, kështu që Miftaraj vlerësoi se kjo parti ka vepruar mirë që e ka vendosur Hamzën në krye, për shkak edhe të mundësisë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në dhjetor.
Deri më tani, për 4 vjet e 4 muaj, Partinë Demokratike të Kosovës e udhëhoqi Memli Krasniqi.











