Microsoft parashikon një të ardhme ku çdo punëtor do të mendojë si CEO

Në pesë vitet e ardhshme, çdo biznes pritet të organizohet rreth AI.

Sipas kompanisë teknologjike, po lind një model i ri  – i quajtur “frontier firm” – ku njerëzit do të menaxhojnë agjentë autonomë të inteligjencës artificiale për të përmbushur detyra të ndryshme.

“Me zgjerimin e rolit të agjentëve në fuqinë punëtore, do të shfaqet një kategori e re menaxherësh – shefi i agjentëve – një figurë që udhëheq, delegon dhe maksimizon ndikimin e këtyre ndihmësve digjitalë, duke marrë kontroll mbi rrugëtimin e vet profesional në epokën e AI,” shpjegon Jerard Spataro nga Microsoft.

Ai thekson se në këtë realitet të ri, çdo punonjës do të duhet të mendojë si një CEO i një startup-i, me agjentët digjitalë në shërbim të tij.

Duke qenë një nga mbështetësit kryesorë të OpenAI – krijuesit të ChatGPT – Microsoft beson se brenda pesë viteve, çdo biznes do të transformohet. Këto struktura të reja pritet të jenë më të shpejta, më efikase dhe më të afta për të gjeneruar vlerë, pasi do të organizohen rreth konceptit të “inteligjencës sipas kërkesës”.

Transformimi pritet të ndodhë në tri faza. Fillimisht, secili punonjës do të ketë një asistent virtual. Në fazën e dytë, agjentët e AI do të bëhen pjesë e ekipeve si “kolegë digjitalë” me role të përcaktuara. Faza e fundit do të përfshijë përdorimin e agjentëve që punojnë në mënyrë autonome sipas udhëzimeve të njerëzve, të cilët do të mbikëqyrin procesin sipas nevojës.