Njëzet e pesë euro – kjo është gjoba që aktivisti opozitar dhe mësuesi pagoi, pasi “pa leje” e kishte mbuluar grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhet në oborrin e një shkolle fillore në juglindje të Serbisë, ku ai është i punësuar.
Partia në pushtet në Serbi, Partia Përparimtare Serbe (SNS), e dënoi këtë veprim dhe i cilësoi aktivistët e Frontit të Gjelbër të Majtë (ZLF) nga Nishi, të cilët morën pjesë në largimin e grafitit, si “auto-shovinistë”.
Slogani nacionalist “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në mbarë Serbinë, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile i kanë larguar këto slogane edhe në vitet paraprake, duke argumentuar se një mesazh i tillë përhap jotolerancë dhe nxit konflikte.
Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të luftës që forcat serbe kishin kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Kallëzim anonim
“Ky grafit bën thirrje për luftë dhe konflikte. Ky mesazh na kthen në vitet ’90, në një kohë kur Serbia po humbte jetë të reja dhe territore”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Dejan Petroviq, 54 vjeç, mësues në shkollën e Nishit “Uçitel Tasa”.
Petroviq shton se grafiti në fjalë është shkruar në oborrin e shkollës disa vite më parë dhe se ai, në disa raste, i ka sugjeruar drejtoreshës së shkollës se një mesazh i tillë nuk është i përshtatshëm dhe duhet të hiqet, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar.
“Në një moment i thashë drejtoreshës se, nëse ajo nuk është në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë, unë do ta bëja vetë me shpenzimet e mia. Ajo nuk më ndaloi, por vetëm heshti. Unë e kuptova këtë si një shenjë miratimi”, thotë Petroviq.
Së bashku me kolegun e tij Rastisllav Diniq nga Fronti i Majtë i Gjelbër, të cilit i përket, Dejan Petroviq gjatë fundjavës që shkoi ai ngjyroi me ngjyrë të bardhë murin ku ishte shkruar grafiti.
Disa ditë më vonë, në shkollë erdhën punonjës komunalë të policisë dhe i thanë të shkonte në qendrën në Nishit të këtij shërbimi, ku do t’i dorëzohej një kallëzim penal.
“Mu thanë se personi që kishte dorëzuar kallëzimin ishte një qytetar anonim që kishte bërë denoncimin se unë kisha pikturuar pa miratimin e drejtoreshës”, shprehet ai.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shkollës Fillore “Uçitel Tasa”, Radmilla Kërstiq, por ajo nuk ishte e disponueshme për bisedë dhe nuk iu përgjigj as mesazheve SMS që iu dërguan.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe policisë komunale të Nishit me pyetjen se sa kallëzime penale për të njëjtin veprim janë dorëzuar gjatë vitit 2025, si dhe nëse grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” trajtohen si përhapje e urrejtjes, diskriminimi dhe thirrje për konflikte, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Për heqjen e grafiteve nga hapësirat publike përgjegjëse janë shërbimet komunale të pushtetit lokal në Serbi, ndërsa për fasadat e objekteve private përgjegjës janë pronarët e tyre.










