Legjendari me numrin 10 pati një rikthim “heroik” nga dëmtimi, mbrëmjen e së mërkurës në “Chase Stadium”, duke shënuar dy gola të vonshëm teksa Inter Miami përmbysi ndeshjen dhe siguroi fitore dramatike 3-1 ndaj Orlando City në gjysmëfinale.
Ky rezultat i dha kualifikimin në “Concacaf Champions Cup” 2026 dhe kalimin në finalen e së dielës së “Leagues Cup” kundër Seattle Sounders FC. Edhe më e ëmbël ishte fitorja, sepse erdhi në derbin e Floridës, ndaj një rivali brenda shtetit, që kishte dominuar sezonin e rregullt të MLS me dy fitore bindëse dhe golavarazhin 7-1.
“Duhej ta fitonim këtë ndeshje në shtëpi, – tha mbrojtësi i rritur në klub, Ian Fray. – Na mposhtën 3-0 këtu më parë dhe sapo kishim humbur 4-1. Kësaj here duhej të fitonim”.
Messi mjeshtëror – Si shpesh herë, Inter Miami u mbështet te Messi për ta kaluar këtë provë vendimtare. Argjentinasi ia doli, pavarësisht pasojave të dëmtimit në kofshë, që e kishte mbajtur jashtë dy ndeshjet e fundit.
“Doja të luaja, – tha Messi pas ndeshjes për “MLS Season Pass”. – Që nga rikthimi kundër Galaxy, ndjeja shqetësime dhe nuk isha rehat. U përgatita posaçërisht për këtë ndeshje, sepse e dija sa e rëndësishme ishte. Kundërshtari ishte i vështirë, na kishte mposhtur dy herë këtë sezon”.
Paraqitje ikonike – Messi pranoi se iu desh kohë për të hyrë në ritëm kundër një kundërshtari si Orlando, i ashpër fizikisht, që madje pa edhe mbrojtësin David Brekalo të ndëshkohej me karton të kuq pas dy faullesh. “Sinqerisht, në pjesën e parë isha pak i frikësuar, – tha ai. – Megjithatë, në të dytën u çlirova disi”.
Argjentinasi “anuloi” avantazhin e Marco Pašalić në fund të pjesës së parë, duke realizuar me penallti në minutën e 77-të, pas faullit të Brekalos ndaj Tadeo Allende. Vetëm 11 minuta më vonë, ai kombinoi bukur me Jordi Alba, përpara se ta mposhtte portierin Pedro Gallese.
Në kohën shtesë, Telasco Segovia vulosi gjithçka me një gol spektakolar, por ishte sërish Messi ai që mbajti peshën më të madhe për Inter Miami, edhe pse jo në 100% të formës.
“Nuk e di nëse ishte në formën maksimale, pas dëmtimit dhe inaktivitetit, – tha Sergio Busquets, – por shikoni çfarë bëri”.
Fray shtoi: “E ka bërë këtë për kaq gjatë. Është mbresëlënëse që vazhdon ta bëjë edhe në këtë moshë. Është e pabesueshme”.
Edhe ndihmëstrajneri Javier Morales, që zëvendësoi të pezulluarin Javier Mascherano, e pranoi madhështinë e Messit: “Me Leon nuk mjaftojnë fjalët. Një lojtar që praktikisht nuk u stërvit, vetëm dy-tri ditë, dhe sot luajti 90 minuta kështu. Krijoi raste, shënoi gola. S’ka më çfarë të thuash për të. Të gjithë e dinë kush është. Ai është më i miri në histori”.
Më shumë histori në horizont – Trashëgimia e Messit mund të rritet edhe më shumë me një tjetër titull të “Leagues Cup”, që do t’i shtohej atij të vitit 2023, i cili shënoi nisjen e ëndërruar me Inter Miami.
Numri 10 kishte shënuar 10 gola drejt atij trofeu të parë, ndërsa me dopietën e së mërkurës numri i tij shkon në 12 gola në 10 paraqitje gjithsej në “Leagues Cup”.
The post Messi heroik me dy gola. Merr hak ndaj Orlando City dhe siguron finalen e “Leagues Cup” (video) appeared first on Telesport.