Shkruan: Burim Gjaka
Tani më kur po afrohet koha e zgjedhjeve parlamentare është momenti i përshtatshëm për të reflektuar mbi rëndësinë e votës sonë. Çdo votë është një zë, një mundësi për të shprehur mendimin tonë dhe për të ndikuar në të ardhmen e komunitetit tonë. Ne jetojmë në një kohë ku ndryshimet janë të nevojshme, dhe është detyra jonë si qytetarë të angazhohemi për të zgjedhur ata që do të përfaqësojnë interesat tona.
Kandidatë nga Komuna jonë, nga të gjitha grupet politike, kanë marrur guximin që të dalin në skenën politike, duke u zotuar se janë të gatshëm për të sjellë ide të freskëta dhe zgjidhje për sfidat që na preokupojnë. Ata janë të njohur me nevojat dhe aspiratat tona, dhe kanë vizionin për ta ndihmuar Vushtrrinë të zhvillohet dhe të përparojë, sepse kanë obligim moral dhe borgj ndaj qytetarëve të tyre. Prandaj, është thelbësore që të gjithë ne të mbështesim këta kandidatë, të cilët e njohin mirë komunitetin tonë dhe duket se janë të përkushtuar për të sjellë ndryshime pozitive. Mos harroni se vota jonë është e fuqishme. Ajo ka potencialin të ndryshojë të ardhmen tonë dhe të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për ne dhe brezat e ardhshëm.
Çdo votë ka rëndësi, dhe çdo qytetar ka përgjegjësinë të kontribuojë në procesin demokratik. Le të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe të mbështesim ata që do të punojnë për ne. Votimi për kandidatët lokalë nga Vushtrria, të cilët i kuptojnë nevojat e komunitetit tonë, është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një të ardhmëje më të ndritur. Ne kemi mundësinë të sjellim ndryshime pozitive dhe të sigurojmë që zëri ynë të dëgjohet. Angazhimi ynë në këtë proces është thelbësor për të ndihmuar në formimin e politikave që do të përmirësojnë jetën tonë të përditshme. Le të angazhohemi së bashku për të ndihmuar Vushtrrinë të arrijë potencialin e saj të plotë.
Duhet të jemi lokalistë sepse ndryshe nuk bëhet. Askush nuk i di hallet tona më mirë se kandidatët nga Komuna jonë dhe askujt nuk i dhëmb zemra më shumë sesa zogut për foelnë e vet. Këta kandidatë do të shkelin rrugët tona, do ta pinë kafenë bashkë me ne dhe po këtyre nesër mund t`ju kërkojmë llogari për votat që u japim. Kemi votuar në të kaluarën shumë kandidatë të cilët nuk i kemi takuar kurrë asnjëherë, nuk i kemi parë asnjëherë, nuk i kemi ndëgjuar ta përmendin qytetin tonë asnjëherë. Ndoshta edhe iu kemi dërguar mesazhe urime për festa e që nuk na janë kthyer fare, prandaj është koha t`i kthehemi vehtes.
Zgjedhjet e së dieles janë pakëz më ndryshe sesa ato të kaluarat.Në listat zgjedhore gjejmë të gjithë tipat dhe karakteret e njerëzve, vetëm duhet eksplorim dhe analizë. Dikush mund të jetë i zhgënjyer me dikë por kjo nuk do të thotë që duhet të zhgënjehemi me të gjithë. Duhet të votojmë atë që na thotë zemra por duke përdorur edhe mendjen. Kuvendit të Kosovës i duhen mendje të ndritura, njerëz të sinqertë e të guximshëm prandaj konsideroj se Vushtrria ka të tillë, fatmirsisht edhe në listat kandiduese të sivjetme. Duhet t`ju japim mundësi për t`u provuar, t`i shohim kush janë dhe çfar mund të japin për qytetin e tyre. Pastaj e kemi mundësinë edhe t`i “gozhdojmë” po qe nevoja, por jo t`i refuzojmë apriori.
Këto zgjedhje janë më të lehta për votuesit sepse kemi mundësi më të mëdha zgjedhjeje. Duke pasur mundësinë t`i votojmë 10 kandidatë nga një grupacion politik e kemi mundësinë maksimale ti votojmë së pari kandidatët tanë e pastaj na mbetet vend edhe për të tjerët, nga Komunat tjera. Është e pakuptimt t`i votojmë tjerët para tanëve siç është e tepërt prezenca e aq shumë kandidatëve, nga lokalitetet tjera në qytetin tone këto ditë. Nuk po shkruaj rastësisht e as me ndonjë tendencë sepse fundja të gjithë jemi shqiptarë, mirëpo së pari duhet ta duam veten e pastaj të tjerët. Fundja duhet të nisemi nga thënia “ Miku në vend të mikut por jo zot shtëpie”.
Të dashur bashkëvendas!
Ju ftoj të jeni aktivë në këtë proces zgjedhor edhe për ditët në vazhdim, të dilni të votoni për kandidatët që mendoni se e meritojnë mbështetjen tuaj. Ditën e zgjedhjeve ta llogarisim ditë feste për të gjithë dhe asesi ndryshe. Dhe deri në zgjedhjet e ardhshme të punojmë që vendi të ndahet në zona 7 zgjedhore dhe ne të kemi mundësi t`i zgjedhim kandidatët më të mirë nga zona jonë, pa pasur nevojë të fokusohemi vetëm te një parti politike. Deri atëherë të angazhohemi për një të ardhme më të mirë, e pa hile, të punojmë së bashku për Vushtrrinë tonë!