Pa një auditim të pavarur dhe mes shumë paqartësive ligjore, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ua ngarkon në fatura konsumatorëve të rrymës në Kosovë edhe ‘borxhin e keq’ të KESCO-s. Për vitin 2025, borxhi i keq shkoi mbi 8 milionë euro.
Konsumatorët e rrymës në Kosovë e paguajnë përmes faturave edhe ‘borxhin e keq’ të KESCO-s, ani pse arkëtimi i borxheve nga faturat e papaguara, është përgjegjësi e operatorit. Si borxh i keq hynë të gjitha borxhet që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga faturat e papaguara të konsumatorëve.
Në raportin e vitit 2025 për të Hyrat e Lejuara Maksimale për KESCO-n, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), e ka njohur edhe ‘borxhin e keq’ që për vitin 2025 është mbi 8 milionë euro, duke ua ngarkuar konsumatorëve në fatura.

Kjo barrë financiare po iu ngarkohet konsumatorëve të rrymës pa një auditim të pavarur nga Rregullatori dhe mes shumë paqartësive ligjore.
Buletini Ekonomik ka siguruar të dhënat e borxhit të keq për periudhën 2013-2025, ku shihet se në vitin 2015 borxhi i keq i KESCO-s shkoi mbi 13 milionë euro, kurse në vitin 2021 afër 12 milionë euro.

Çështja e borxhit të keq është problematizuar nga disa prej njohësve të sektorit të energjisë, të cilët dërguan komente në ZRrE me rastin e rishikimit të tarifave në muajin prill 2025.
Në këto komente përmendet Ligji për Marrëdhëniet Detyrimore si dhe ai për Procedurën Përmbarimore, si dy mundësi që i ka KESCO për arkëtimin e borxhit të keq, para se atë t’ua faturojë qytetarëve.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja, në një letër drejtuar ZRrE-së në muajin mars 2025, thotë se konsumatorët nuk janë përgjegjës për dështimet e KESCO-s në arkëtimin e borxheve.
“Ligji për Detyrimet, përmbarimet sikurse edhe zbatimi i skemave për konsumatorët e cënueshëm nga ana e Qeverisë nuk justifikojnë më kërkesën e KESCO dhe as vendimet e ZRRE përkitazi me lejimet e borxhit të keq. Përmirësimi i Arkëtimit të Faturave Implementimi i politikave më të rrepta për konsumatorët me vonesa të gjata në pagesa, duke reduktuar nevojën për rritje të tarifave për të mbuluar borxhet e këqija është përgjegjesi direkte e KESCO”, thuhet në këtë letër.
Përveç kësaj, mbetet e paqartë metodologjia që e përdorë KESCO për përcaktimin e nivelit të borxhit të keq dhe nëse ka parapakisht një auditim të kostove nga kjo kategori.
ZRrE e përcakton nivelin e borxhit të keq të lejuar në bazë të Rregullores për Vendosjen e të Hyrave dhe Çmimeve për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).
Kur është pyetur për bazën ligjore, nga ZRrE thonë se niveli i borxhit të keq përcaktohet bazuar në nenin 16 të kësaj rregulloreje. Por, në këtë nen nuk specifikohet qartë kategoria e borxhit të keq. Aty përmenden kostot e lejuara operative dhe të mirëmbajtjes, kostot e korporatës, kostot e zhvlerësimit dhe “kosto tjera”.
Në një përgjigje për Buletini Ekonomik, nga ZRrE kanë pranuar se nuk ka një proces auditimi të pavarur për këtë kategori. ZRrE, sikurse për të gjitha kategoritë tjera të shpenzimeve të operatorëve të rregulluar, i merr si të mirëqena auditimet që i porosisin vetë operatorët.
“Metodologjia bazohet në: analizën e arkëtimeve historike të KESCO-s dhe aftësinë e saj për të inkasuar borxhet nga konsumatorët; pasqyrat financiare të audituara; vlerësimin e masave ligjore dhe rregullative që KESCO ka në dispozicion për mbledhjen e detyrimeve dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve që paguajnë rregullisht”, thuhet në përgjigjen e ZRrE.
Sipas ZRrE-së, mos-inkasimi nuk konsiderohet automatikisht borxh i keq, porse vetëm detyrimet që nuk mund të arkëtohen pas përpjekjeve ligjore e përmbarimore, trajtohen si të tilla.
Mirëpo, kjo bazohet vetëm në të dhënat e audituara që vetë operatorët, në këtë rast KESCO, i raportojnë në ZRrE.












