Mes pakënaqësive e kontesteve pronësore, Komuna shtyn para projektin për “Xhorxh Bushin”

Pavarësisht reagimeve se ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush” prek prona private dhe shoqërore, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se i kanë zgjidhur të gjitha problemet që ndalojnë punimet e këtij projekti. Në përurimin e fillimit të punimeve, të hënën, Rama projektin e quajti të mrekullueshëm e kundërshtimet të paarsyeshme.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e bëri të hënën përurimin për fillimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, me gjithë moszgjidhjen e kontesteve pronësore që prekin këtë projekt.

Pavarësisht reagimeve se kthimi i kësaj rruge në shesh prek prona private dhe shoqërore, Rama ka thënë se i kanë zgjidhur këto probleme dhe se nuk ka ndonjë pengesë për të vazhduar para me projektin 18-milionë eurosh.

“Projekti është i mrekullueshëm dhe nuk ka asnjë problem për ta shtyrë përpara. Normal se kemi zëra të ndryshëm, mendoj pa asnjë arsye. Mirëpo, ne po vazhdojmë me punimet për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Rama.

Projekti ku parashihet të punohet prek disa prona private, atë të kishës në kampusin universitar dhe një varg të tjerash shoqërore.

Rama fillimisht planin për kthimin e rrugës “Xhorxh Bush” në shesh e prezantoi në janar të 2024-s. E maketet e asaj kohe me ato që janë prezantuar tash ndryshojnë. Po ashtu për projektin nuk është mbajtur dëgjim publik me qytetarët.

Për çfarë po akuzohet kompania që nisi sot ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’?

Në fakt, vetë mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush” për qarkullim të automjeteve ishte përcjellë më pakënaqësi e edhe me protesta.

E për mbylljen e disa rrugëve të tjera drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik, Ehat Miftaraj, tha se kanë parashtruar padi ndaj Komunës së Prishtinës.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte parashtruar edhe padi, por edhe ka kërkuar masë të sigurisë ndaj Komunës së Prishtinës në rastet kur Komuna ka ndërmarrë vendime të njejta. E këto në njëfarë mënyrë, pa konsultime publike dhe të duhura, po edhe në kundërshtim me ligjin, duke e kufizuar të drejtën e qarkullimit banorëve e qytetarëve në rrugë të caktuara të Prishtinës”, ka thënë Miftaraj, raporton Koha.net

Ankesa ka pasur edhe për mbylljen e rrugëve, si ato “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, gjë që në tetor të vitit të kaluar Gjykata Komerciale e pati aprovuar në tërësi padinë e “Grupit Koha” ndaj Komunës së Prishtinës.

Me gjithë vendimin e gjykatës, në rrugën “Rexhep Luci” edhe po punohet.