Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës ka miratuar Projektligjin nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Gjatë mbledhjes, deputetët kanë diskutuar përmbajtjen e projektbuxhetit, nevojën për reforma në sistemin shëndetësor, si dhe për investimet kapitale dhe financimin e sektorëve të ndryshëm të shëndetësisë, duke paraqitur qëndrime të ndryshme rreth strukturës dhe prioriteteve të buxhetit për vitin e ardhshëm, raporton Ekonomia Online
Kryetari i Komisionit, Haxhi Avdyli, tha se Komisioni për Shëndetësi edhe në të kaluarën ka treguar frymë diskutimi, bashkëpunimi dhe tolerance, duke shtuar se nga ky komision kanë dalë sugjerime të dobishme për sistemin shëndetësor pa marrë parasysh orientimin politik.
“Dua të them që Komisioni për Shëndetësi edhe në të kaluarën, pa marrë parasysh ku unë kam qenë, në pozitë apo në opozitë, ka treguar një frymë të diskutimit, një frymë të bashkëpunimit, një frymë të tolerancës, por edhe nga këtu kanë dalë sugjerime shumë dobiprurëse edhe për sistemin shëndetësor, pa marrë parasysh edhe nga orientimi politik.
Dhe në shumicën e rasteve, përkundër ndoshta përplasjeve momentale politike që i kemi pasë në Kuvend, këtu kemi ushtruar një frymë pozitive bashkëpunimi dhe shpresoj që kjo do të vazhdojë edhe më tutje, sepse tash në këtë mandat na pret një punë shumë e madhe.
Do të ketë ligje bazike për shëndetësi që do të na vijnë dhe na pret një punë kruciale edhe për: Reformën e sistemit shëndetësor. Dizajnimin e sistemit përmes ligjit për shëndetësi. Ligjin për sigurime shëndetësore dhe ligje të tjera përcjellëse. Këto ligje mund t’i japin një kod të ri sistemit tonë shëndetësor, për të cilin besoj secili nga ju këtu që jeni, e keni atë mendim që ky sistem ka nevojë për përmirësim”, tha ai.
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, tha se propozim-buxheti është pothuajse identik me vitet e kaluara sa i përket investimeve kapitale, duke i cilësuar si mjete të bardha.
Ai tha se përgjigjen për këtë duhet ta japin ministri dhe ministria dhe shtoi se në përmbajtje buxheti nuk paraqet objektivat dhe esencën e ekspozesë së kryeministrit para deputetëve të Kuvendit.
“Propozim buxhet është që pothuajse buxheti identik edhe me vitin 2024, ndoshta 2023 dhe 2022 sa i përket investimeve kapitale, janë mjete të bardha, ato i kemi diskutuar edhe ndër vitet e kaluara, nuk është një temë që është e panjohur. Pse dhe si, sigurisht përgjigjen e jep ministri dhe ministria, dhe në përmbajtje nuk paraqet as objektivat dhe esencën të cilën ose ekspozën të cilën e ka bërë kryeministri para deputetëve të kuvendit të Kosovës. Nëse ka ndonjë arsye që ashtu siç po thuhet, për të cilën edhe pak unë mund të besoj se mund të ketë edhe zhvillime të tjera politike që mund të ketë rishikim të buxhetit, por në thelb dhe në përmbajtje edhe në pjesën tabelare nuk është pothuajse shprehimisht as kushtimisht as saktësisht asgjë çka ka thënë kryeministri në ekspozën e tij. Dhe në njërën pjesë deklarative, as sa i përket ligjit për sigurime shëndetësore, sepse shifrat janë pothuajse po të njëjta, ka pak rritje për vitin… te fondi për vitin 2026, dhe te investimet kapitale thashë që ka pothuajse totalisht mjete të bardha”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Artan Behrami, tha se buxheti është në disproporcion me nevojat e organizatave që komisioni mbulon dhe me rreziqet me të cilat përballet Kosova.
“Megjithatë, atë që kemi parë në buxhet, është në disproporcion edhe me nevojat e organizatave që komisioni mbulon, por edhe me ekspozimin ndaj rreziqeve që qeveria i ka marrë në Republikën e Kosovës. Ka qenë një premtim që ky buxhet të rishikohet. Kolegët që janë më të vjetër këtu në Kuvend, thanë dje që premtime të tilla ka pasë për rishikim edhe në të kaluarën, po kurrë nuk është rishiku buxheti. Shpresoj që kësaj radhe, meqë po shoh edhe nëpër komisione tjera ka shumë paqartësi – ende shumë ministra nuk kanë buxhet, ende shumë fusha nuk janë të mbuluara, ende shumë komisione nuk i kanë definu edhe fushëveprimet e tyre – shpresoj që kur të bëhet rishikimi të kemi mundësi që edhe koha të reflektojë më shumë, edhe sugjerimet tona t’i sjellim në mënyrë më përmbajtësore. Sa i takon amendamenteve, prej një përvoje të kolegëve të partisë që unë e përfaqësoj këtu, më kanë treguar që ata deri më sot, në këto gjashtë vitet e fundit, i kanë propozu diku 300 amendamente, e prej tyre nuk ka kaluar asnjë”, tha ai.
Deputetja e AAK-së , Albana Bytyqi, tha se komisioni duhet të përgatisë një amendament për buxhetin për barna esenciale dhe ta dërgojë në Komisionin për Buxhet.
“Kështu që kisha dashur si komision që ne ta përgatisim një amandament për buxhetin për barna esenciale dhe ta dërgojmë në Komisionin për Buxhet dhe të diskutohet. Tash është shumë e rëndësishme dhe shumë esenciale kjo pjesa për barna esenciale sepse ne e dimë si shtet që, duke parë vendet e tjera përreth që i kemi, jemi vendi i vetëm që e kemi buxhetin më të ulët.
Kështu që kisha kërkuar shumë mbështetjen tuaj që ta përgatisim një amandament për buxhet”, tha ajo.










