Merz, Kosovës dhe Serbisë: Intensifikoni dialogun për normalizim, e keni mbështetjen time

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të intensifikojnë dialogun për normalizimin e raporteve mes tyre.

Në këtë drejtim, ai u zotua se do ta kenë mbështetjen e tij.

“Është koha që dy vendet të zbatojnë plotësisht përkushtimet e bëra”, tha kancelari gjerman në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, teksa shtoi se është i vetëdijshëm që ka mungesë progresi të këtij procesi gjatë këtij viti, raporton Klankosova.tv.

“Do të doja që Qeveria Federale të përfshihej në këtë proces. E kam thënë këtë edhe për veten time personalisht”, deklaroi Merz, ndërsa shtoi se për këtë çështje “do të vazhdojmë bisedimet mes nesh”.

Ai tha se ishte i kënaqur që të gjitha palët kishin miratuar një deklaratë të përbashkët mbi pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në prag të samitit, i cili tani e tutje do të jetësohet çdo ditë.