Sporting Lisbon është çerekfinalisti i parë i këtij sezoni në Champions League. Portugezët kanë mundur 5-0 Bodo/Glimt pas 120 minutave lojë dhe kanë siguruar kështu biletën për më tej. Ndeshja e parë ishte mbyllur 3-0 në favor të norvegjezëve, me të njëjtin rezultat u mbyll edhe koha e rregullt sot në Lisbon.
Portugezët gjetën avantazhin në minutën e 34-të, falë golit të Gonçalo Inacio. Qendërmbrojtësi shënoi me kokë, pas krosimit nga këndi të Trincao. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Sporting.
Në pjesën e dytë, portugezët shënuan edhe dy herë të tjera. Në minutën e 61-të, pas një pasimi të mrekullueshëm të Catamo dhe asistit të Luis Suarez, ishte Pedro Goncalves që dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 77-të, ishte Luis Suarez që shënoi golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë, pas prekjes së topit me dorë brenda zonës nga njëri prej lojtarëve të skuadrës norvegjeze.
Koha e rregullt mbyllet 3-0 për Sporting dhe ndeshja shkoi në shtesë. Në minutën e 2-të të kohës shtesë ishte Maximiliano Araujo që gjeti golin e katërt, me një goditje të bukur me të majtën brenda zonës, pas asistit të Trincao. Në minutat shtesë, i sapofuturi në fushë, Rafael Nel, vulosi fitoren 5-0 për Sporting me golin e tij. Sporting përparon më tej, mbyllet këtu super aventura e Bodo/Glimt në Champions League.
The post Merr fund “përralla” Bodo/Glimt, Sporting Lisbon bën përmbysjen e madhe dhe shkon në çerekfinale (video) appeared first on Telesport.










