Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka paralajmëruar se tërheqja e ngutshme e ushtrisë amerikane nga Siria do ta rrisë rrezikun e forcimit të ndikimit të Rusisë dhe Iranit në Lindjen e Mesme.
Duke folur në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, Merkel tha se dyshon që plani amerikan për tërheqje të ushtrisë nuk është ide e mirë. “A do ta forcojë ky vendim edhe një herë kapacitetin e Rusisë dhe Iranit për ta zgjeruar ndikimin e tyre”, ka pyetur ajo.
Merkel ka shtuar se edhe tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani nuk është e qëlluar sepse mbështetja e NATO-s për këtë vend varet nga përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo i ka bërë thirrje Kinës që të bëhet pjesë e procesit ndërkombëtar të çarmatosjes, ndonëse SHBA-ja dhe Rusia janë tërhequr nga Traktati i Armëve Bërthamore, shkruan “Free Europe”.