Të dielën, në një sallë në Zyrih të Zvicrës, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua mërgatës me një portretizim të Kosovës që do të dukej pothuajse i panjohur për ata që jetojnë brenda kufijve të tij. Ish-kreu i qeverisë Kurti e pikturoi Kosovën të zhytur në një “begati” të paprecedentë përgjatë qeverisjes së tij, me rritje ekonomike, punësim dhe forcim të paraportës së Kosovës. Por, një shoshitje e lehtë e grimit statistikor që paraqiti Kurti para mërgatës na tregon një realitet shumë më kompleks: të pavërteta, shtrembërime dhe, në disa raste, kontradikta me vetë deklarimet e tij të mëhershme. T’i marrim me radhë…
“Begatia” e Stagnuar
Sipas Kurti Kosova ka pasur një performancë “mbresëlënëse” ekonomike. Për ta mbështetur këtë pretendim, ai e nxori edhe atje mesataren “6 për qind”, një numër që e jep si provë të padiskutueshme të “progresit” gjatë mandatit të tij katërvjeçar – mesatare artificialisht e fryrë me performancën e vitit 2021, që shërben për të kamufluar ngadalësimin e mëvonshëm.
“Gjatë mandatit tonë, rritja mesatare ekonomike është 6 për qind… Kurrë Kosova nuk ka qenë më e begatshme,” deklaroi ai.
Të dhënat e Vjetarit Statistikor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës na tregojnë një histori krejt tjetër nga pretendimet e zotit Kurti.
Periudha para pandemisë karakterizohej nga rritje relativisht e qëndrueshme, ndërsa në një sërë vitesh – veçanërisht midis 2009 dhe 2019 – normat e rritjes jo vetëm që ishin të krahasueshme, por në shumë prej këtyre viteve, normat e rritjes reale ishin më të larta sesa në vitet 2022, 2023 dhe 2024.
Pra, ritmi i rritjes ekonomike të Kosovës gjatë viteve të fundit, në shumicën e rasteve, nuk ka tejkaluar “normalitetin” para-pandemik, por shpesh ka mbetur poshtë tij.
Në këtë kontekst, nëse përjashtohet viti 2021 – vit i bumit ekonomik pas rënies pandemike, kur qeveria Kurti e gjeti Bruto Produktin Vendor tashmë në një trajektore të lartë – tabloja pasuese është dukshme më e zbehtë. Vitet 2022, 2023 dhe 2024 shënojnë performancë më të dobët se shumica e viteve 2009–2019, me rritje që rrotullohet pak mbi 4 për qind.
Sipas të dhënave, ndonëse Kosova përjetoi një kërcim të fortë teknik në 2021 (+10.7%) si efekt rikthimi nga rënia e 2020-s, ngadalësimi në 2022 dhe 2023 bëri që ekonomia të mbetet nën “vijën e trendit” që kishte ndjekur para pandemisë, ku rritja mesatare sillej rreth 4–4.5 për qind në vit.
Mirazhi i Punësimit
Deklarata për 85,000 vende të reja pune, ndonëse pretendimi me i shpërputhur me realitetin faktik, u paraqit si kurora e suksesit ekonomik të qeverisë Kurti II. “Para pesë vjetësh, kur kemi garuar, kemi thënë që punësimi do të jetë në qendër të vëmendjes dhe të angazhimit tonë. E tash që po flasim, nga 350 mijë vende pune sa i kemi gjetur, janë 435 mijë vende pune – 85 mijë vende pune më shumë se në pranverën e vitit 2021.”
Pjesa dërrmuese e shifrave të pretenduara nga Kurti përfaqësojnë punëtorë që tashmë ishin pjesë e ekonomisë informale. Për më tepër, Kosova po përballet me ikje masive të fuqisë punëtore drejt Evropës.
Të dhënat e Trustit sugjerojnë rritje krejt minimale – larg pretendimeve të Kurtit – të punësimit formal. Numri i kontribuuesve aktivë rritet vetëm me disa për qind në vit, ndërkohë që sipas ASK-së papunësia paska “rënë” nga mbi 20% në 10.8%. Kjo do të thotë se shumica e atyre të papunëve që u “zhdukën” nga numrat e ASK-së nuk u punësuan kurrë: ata thjesht iu bashkuan valës së migrimit ose dolën krejt nga tregu i punës (u bënë jo-aktivë).
Vetë Kurti në një intervistë në RTK kishte pranuar se rënia e papunësisë në Kosovë është rezultat i “formalizimit të tregut të punës” dhe se migrimi mund të ketë pasur gjithashtu ndikim.
“Ka ndikuar formalizimi i vendeve të punës, mund të ketë ndikuar edhe migrimi por ai ka ndikuar më shumë në të kaluarën.
“Pasaporta e fortë”
Pretendimi më paradoksal në Zyrih ishte ai për forcimin e pasaportës dhe “dinjitetin” ndërkombëtar. Kurti u mburr për ngjitjen e pasaportës së Kosovës nga vendi i 121-të në të 65-tin.
“Shteti ynë i fuqishëm e ka edhe pasaportën shumë më të fortë. Konkretisht, nga vendi 121 ku ndodhej pasaporta e Kosovës në ranglistë, tash ndodhet në vendin 65. Bashkë me zëvendësen time, Donika Gërvallën, e kemi prezantuar shtetin tonë me dinjitet; nuk kemi lëshuar pe në asnjë situatë.” – tha Kurti.
Sipas Henley Passport Index 2025, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 65-të, me 81 destinacione pa vizë paraprake. Në realitet, ky “progres” nuk kishte fare lidhje me ndonjë fushatë diplomatike apo reforma të veçanta të ndërmarra gjatë qeverisjes së Kurtit.
Ngritja në rangim në këtë Indeks ndërlidhet ekskluzivisht me vendimin e Bashkimit Evropian për t’ia liberalizuar vizat qytetarëve të Kosovës – proces që kishte filluar shumë kohë më parë dhe që arriti të finalizohej falë përpjekjeve të vazhdueshme institucionale dhe diplomatike të qeverive të mëparshme. Ky vendim i lejoi kosovarëve të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen për 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.
Në postimet e tyre, si në Facebook ashtu edhe në X, Kurti dhe Gërvalla e trumeptuan këtë renditje në indeks si ‘dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë’. Henley Index nuk mat “forcën diplomatike”, as reputacionin ndërkombëtar të një vendi. Raporti mat vetëm numrin e vendeve që mund të vizitohen pa vizë paraprake, me vizë në mbërritje ose me autorizim elektronik (ETA), një formulë e thatë statistikore, pa asnjë lidhje me performancën e politikës së jashtme.











