Kosovarët janë merak në pijë, e sidomos në ato alkoolike.
Kjo madje vërtetohet nga viti në vit, në kuadër të importit të këtyre pijeve.
E alkoolin edhe më tepër e shoqërojnë në festa, e me ushqim të mirë.Edhe në vitin që po lëm pas, për kosovarët interesi më i madh ishte në birra, se sa në vodka apo diçka të ngjashme. Por si për çudi këtë vit interes më të vogël pati tek verërat.
Importi i pijeve alkoolike në Kosovë ka vazhduar me ritëm të lartë edhe gjatë vitit 2025, duke iu afruar shumë shifrave të vitit paraprak, pavarësisht se të dhënat për këtë vit përfshijnë vetëm periudhën nga 1 janari deri më 11 dhjetor 2025.
Gjatë vitit 2025 në Kosovë janë importuar pije alkoolike me vlerë doganore 29.55 milionë euro, krahasuar me 30.77 milionë euro në vitin 2024.
Kjo do të thotë se importi i këtij viti ka arritur rreth 96 për qind të nivelit të vitit të kaluar, duke treguar një treg pothuajse të pandryshuar.
Në aspektin sasior, gjatë vitit 2025 nga Dogana e Kosovës u tha për lajmi.net se janë importuar mbi 19.56 milionë njësi pije alkoolike, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ishte rreth 19.5 milionë njësi. Edhe sasia e alkoolit të pastër mbetet pothuajse identike, me rreth 1.31 milionë litra në të dy vitet.
Birra prej maltit dominon tregun kosovar dhe shënon rritje në vitin 2025
Të dhënat tregojnë se birra prej maltit vazhdon të jetë produkti më i importuar në Kosovë dhe kategoria që mban peshën kryesore të tregut. Në vitin 2024, importi i birrës në shishe dhe enë të ndryshme kishte një vlerë doganore prej mbi 16 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër ka shënuar rritje të lehtë, duke kaluar 16.5 milionë euro.
Veçanërisht rritje ka pasur te birra në shishe, ku vlera e importit në vitin 2025 ka qenë më e lartë se një vit më parë, ndërsa sasia e alkoolit të pastër të importuar përmes kësaj kategorie ka tejkaluar 620 mijë litra, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024. Kjo tregon se birra mbetet pija alkoolike më e konsumuar në vend.
Pijet e forta rriten në vlerë dhe sasi
Rritje të dukshme gjatë vitit 2025 kanë shënuar edhe pijet alkoolike të forta, përfshirë uiskin, vodkën, rumin dhe pijet e tjera me përmbajtje të lartë alkooli. Në vitin 2024, importi i kësaj kategorie kishte vlerë rreth 8.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo vlerë ka kaluar 9.5 milionë euro.
Sipas Doganës së Kosovës, rritja nuk vërehet vetëm në vlerë, por edhe në sasinë e alkoolit të pastër, e cila në vitin 2025 ka qenë më e lartë se një vit më parë, duke treguar rritje të konsumit të pijeve me përqindje më të lartë alkooli.
Verërat shënojnë rënie krahasuar me vitin 2024
Ndryshe nga birra dhe pijet e forta, verërat kanë shënuar rënie në vitin 2025. Në vitin 2024, importi i verërave kishte vlerë doganore mbi 5 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër ka rënë në rreth 4.4 milionë euro.
Rënia vërehet si në sasi, ashtu edhe në vlerë, duke sugjeruar një ulje të kërkesës për këtë kategori krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, verërat vazhdojnë të mbeten një segment i rëndësishëm i tregut të pijeve alkoolike në Kosovë.
2025 drejt barazimit ose tejkalimit të vitit 2024
Duke marrë parasysh se të dhënat për vitin 2025 përfshijnë vetëm 11 muaj, Dogana e Kosovës vlerëson se importi i pijeve alkoolike deri në fund të dhjetorit mund ta barazojë ose edhe ta tejkalojë vitin 2024, si në vlerë doganore ashtu edhe në sasi, shkruan lajmi.net.
Në total, gjatë periudhës 2024–2025, në Kosovë janë importuar pije alkoolike me vlerë mbi 60.3 milionë euro, çka e bën këtë sektor një nga burimet e rëndësishme të të hyrave doganore për buxhetin e shtetit.
TË DHËNAT PËR VITIN 2024




TË DHËNAT PËR VITIN 2025














