Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, njoftoi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Facebook.
“Pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.
Ministria thotë se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.
“MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”.Hyseni në vitin 2019 kishte kaluar në Vetëvendosje, për ç’ gjë pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.
Hyseni, në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i bordit në këtë institucion.
Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.