Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pamundësia e Albin Kurtit për ta formuar qeverinë nuk e shohin si diçka triumfaliste, sepse në këtë periudhë të bllokadës institucionale është dëmtuar Kosova dhe qytetarët e saj.
Krasniqi, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka theksuar shkaqet e kësaj krize burimin e kanë në qasjen që e Kurtit ndaj mënyrës se si e sheh pushtetin dhe shtetin, si dhe partneritetin .
“Nuk duhet ta shohim atë që ka ndodhur si diçka triumfaliste, për askënd. Unë mendoj që kanë humbur të gjithë, sepse vetëm sa është konfirmuar një paralajmërim, ndoshta i hershëm nga ana jonë, që do të jetë një humbje kohe, prej së cilës humbin më së shumti qytetarët dhe humbë vendi ynë, sepse në këto gati nëntë muaj, Kosova ka vazhduar të dëmtohet ekonomikisht, çmimet janë ngritur dhe vetëm sa kanë filluar të vijnë faturat me çmime marramendëse për energjinë elektrike”, tha Krasniqi.










