Kryeministrja Giorgia Meloni, duke folur me gazetarët në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi se shumica do të paraqesë një mocion që kërkon njohjen e Palestinës, por me kusht lirimin e pengjeve dhe përjashtimin e Hamasit nga Gaza.
“Personalisht vazhdoj të besoj se njohja e Palestinës në mungesë të një shteti që përmbush kërkesat e sovranitetit nuk e zgjidh problemin, nuk prodhon rezultate të prekshme dhe konkrete për palestinezët’’, thekson ajo.
‘’Njerëzit thonë se njohja e Palestinës mund të jetë një instrument efektiv i presionit politik, dhe kjo është në rregull … e kuptoj, por gjithashtu duhet të kuptojmë se ndaj kujt duhet të ushtrohet presion. Mendoj se presioni kryesor politik duhet të ushtrohet ndaj Hamasit sepse është Hamasi që e filloi këtë luftë dhe është Hamasi që po e pengon përfundimin e luftës duke refuzuar të dorëzojë pengjet’’, theksoi ajo.
“Ne do të paraqesim një mocion për të deklaruar se njohja e Palestinës duhet t’i nënshtrohet dy kushteve: lirimit të pengjeve dhe, natyrisht, përjashtimit të Hamasit nga çdo qeverisje brenda Palestinës, sepse duhet të kuptojmë se cilat janë prioritetet. Unë nuk jam kundër njohjes së Palestinës, por duhet të vendosim prioritetet e duhura”, theksoi Meloni.
“Mendoj se një iniciativë e tillë mund të gjejë mbështetje edhe nga opozita. Sigurisht që nuk do të gjejë mbështetje nga Hamasi dhe ndoshta nuk do të gjejë mbështetje nga ekstremistët islamikë, por duhet të gjejë mbështetje nga njerëzit me mendje të shëndoshë”, përfundoi ajo.