Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, do të takohet këtë të enjte me presidentin amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim ka për qëllim të lehtësojë tensionet që kanë lindur për shkak të tarifave amerikane ndaj mallrave evropiane, raporton Straitstimes, transmeton Klan Kosova.
Pavarësisht presionit për të mbrojtur ekonominë e Italisë, Meloni raportohet se synon të mbrojë interesat e Italisë dhe të gjithë BE-së. Ministrat francezë kanë paralajmëruar se ajo mund të minojë unitetin e BE-së duke udhëtuar e vetme në Uashington, por Komisioni Evropian e ka mirëpritur këtë udhëtim, duke theksuar mundësinë që ajo të shërbejë si një ndërmjetësuese për një marrëveshje tregtare mes dy palëve.
Vendimi i papritur i Trumpit për të pezulluar shumicën e tarifave globale për 90 ditë ka lehtësuar presionin ndaj Melonit, duke i dhënë asaj mundësinë të fokusohet më shumë në krijimin e kushteve për marrëveshje, sesa në arritjen e një marrëveshjeje të menjëhershme.
Lorenzo Castellani, analist politik në Universitetin Luiss në Romë, tha se Meloni po udhëton tani jo si përfaqësuese e një konflikti me BE-në, por si ndërmjetësuese de fakto, një mundësi që mund të forcojë pozitat e Italisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke ruajtur gjithashtu unitetin e BE-së.