Meksika ekstradon në SHBA një nga bosët më të kërkuar të drogës dhe 28 anëtarë të kartelit

Meksika i dorëzoi SHBA-së narkobosin famëkeq, Rafael Caro Quintero dhe 28 anëtarë të tjerë të kartelit, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Caro Quintero, të cilin autoritetet meksikane e konsiderojnë themelues të kartelit Guadalajara, dyshohet se ishte i përfshirë në rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e agjentit të Administratës Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), Enrique Camarena Salazar, në vitin 1985. Sipas DEA-s, vrasja e Salazarit ishte hakmarrje për një bastisje të autoriteteve meksikane në një fermë marihuane të Caro Quinteros në vitin 1984.

Caro Quintero kaloi 28 vjet në burg në Meksikë për këtë vrasje, përpara se të lirohej në vitin 2013. Më pas, Gjykata e Lartë e Meksikës anuloi vendimin për lirimin e tij. Pas kësaj, ai u kthye në trafikun e drogës si një nga drejtuesit e lartë të kartelit Sinaloa, sipas FBI-së.

Në korrik të vitit 2022, marina meksikane e kapi Caro Quinteron gjatë një operacioni që përfundoi me vdekjen e 14 marinarëve në një aksident helikopteri. Ai u kap pasi një qen i marinës e gjeti të fshehur në shkurre, shkruan cnn.

 

“Caro Quintero, një udhëheqës karteli që shkaktoi dhunë, shkatërrim dhe vdekje në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, ka qenë për katër dekada në krye të listës së të kërkuarve nga DEA. Sot, më në fund, ai ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me drejtësinë”, tha Derek S. Maltz nga DEA.

Ky moment është jashtëzakonisht personal për agjentët e DEA-s, të cilët besojnë se Caro Quintero është përgjegjës për torturën dhe vrasjen brutale të agjentit special Enrique “Kiki” Camarena. “Kjo është gjithashtu një fitore për familjen Camarena. Sot dërgojmë një mesazh të qartë për çdo udhëheqës karteli, çdo trafikant dhe çdo kriminel që helmon komunitetet tona: Do të mbani përgjegjësi. Pavarësisht sa kohë do të duhet dhe sa larg do të arratiseni, drejtësia do t’ju gjejë”, shtoi ai.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës dhe Sekretariati për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Qytetarëve deklaruan se 29 persona nga burgje të ndryshme në Meksikë u transferuan në SHBA.

Ata ishin të kërkuar për lidhjet e tyre me organizata kriminale të përfshira në trafikimin e drogës.

Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se të ekstraduarit ishin “udhëheqës dhe menaxherë të kartelit të drogës”, përfshirë Sinaloa, Cártel de Jalisco Nueva Generación (CJNG), Cártel del Noreste (ish-Los Zetas), La Nueva Familia Michoacana dhe Cártel del Golfo (Zaljevski Kartel).

Në mesin e tyre është edhe Martin Sotelo – i njohur si Alder Marin-Sotelo – i cili dyshohet për vrasjen e zëvendës-sherifit Ned Byrd në Karolinën e Veriut në vitin 2022. Gjithashtu, Antonio Oseguera Cervantes, një nga drejtuesit e CJNG, si dhe dy anëtarë të lartë të Los Zetas, Ramiro Perez Moreno dhe Lucio Hernandez Lechuga.