Mehmetaj: Qeveria e Kosovës i ndan fonde (qindra mijëra euro) kompanisë që Kosovën e njeh si pjesë të Serbisë

Ndërkohë që televizionit Klan Kosova tentuan t’i heqin licencën e biznesit për shkak të çështjeve të regjistrimit të vendbanimit, Qeveria e Kosovës ka alokuar fonde të mëdha për kompaninë “The Economist”, e cila, në raportin e fundit për Indeksin e Demokracisë, vazhdon ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë.

Sipas gazetarit Lirim Mehmetaj, Qeveria e Kosovës i ka ndarë “The Economist”-it një shumë prej 142 mijë eurosh në vetëm një rast, ndërsa edhe në raste të tjera janë ndarë shuma të konsiderueshme.

Fondet janë dhënë nën arsyetimin se mediumi kontribuon në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.

“Megjithatë, raporti i fundit i “The Economist” tregon të kundërtën, pasi Kosova nuk figuron fare si shtet, por trajtohet si pjesë e Serbisë. Çfarë skandali – Qeveria e Kosovës i ndan fonde (qindra mijëra euro) kompanisë që Kosovën e njeh si pjesë të Serbisë Vetëm në një rast, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë “The Economist”-it plotë 142 mijë euro, e në raste të tjera shuma të ngjashme. Për ironi, ndarja thuhej se po bëhet për shkak se “kontribuon në rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendit”. Por, siç mund të shihet, në raportin për Indeksin e Demokracisë nga “The Economist”, Kosova jo që nuk njihet si shtet, por njihet si pjesë e Serbisë.” – ka shkruar Mehmetaj.

Gazetari Mehmetaj shtoi se këtë nuk e sheh si “lëshim të paqëllimshëm” pasi, sipas tij “The Economist” shpeshherë i dërgon ftesa kryeministrit Albin Kurti për të marrë pjesë në ngjarje të organizuara nga ta në Greqi, duke ngritur dyshime mbi lidhjet mes kreut të qeverisë dhe këtij mediumi.

“Në raport ka vende të tjera të kontestuar si Hong Kongu etj, por Kosova nuk figuron askund, sepse, sipas kompanisë që Kosova ia mbush buxhetin, Kosova është pjesë e Serbisë. Unë e kam të pamundur të besoj se këto janë lëshime të paqëllimshme, sepse e njëjta organizatë/medium shpesh i çon ftesa Albin Kurtit për pjesëmarrje të organizimeve të tyre në Greqi.” – shtoi Mehmetaj.