Gazetari Lirim Mehmetaj ka artikuluar kritika të ashpra ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë diskutimit në emisionin “Debat Plus”, pas rezultatit të dobët të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Mehmetaj ka vlerësuar se periudha 4-5 vjeçare e drejtimit të partisë nga Abdixhiku ka rezultuar pa sukses dhe se rruga e vetme e logjikshme tani është dorëheqja e parevokueshme.
Duke analizuar performancën e LDK-së, Mehmetaj theksoi se Abdixhiku pati mundësinë e tij për të provuar vizionin politik, por nuk solli rezultatet e pritura.
“Lumir Abdixhiku erdhi në LDK, e mori partinë, e provoi për 4–5 vite, dështoi. Nuk është fundi i botës. E ka pasë një ide, një vizion se si funksionon, nuk qenka. Ndoshta s’është koha e tij, ndoshta më vonë.” – tha ai.
Sipas Mehmetajt, Abdixhiku duhet të tregojë pjekuri politike duke hapur rrugën për një lider të ri, në vend që të rezistojë dhe t’u kërkojë delegatëve ta përkrahin.
“Pse ai mos me jep dorëheqje automatike, me premtu që si kryetar aktual ka me monitoru procesin demokratik, i cili ka me prodhu liderin e ri të LDK-së, dhe atij lideri ka me i qëndru pas. Por shihe ti ku është logjika: këtu ti e sheh që nuk është problem për të fati i kombit, por fati i tij personal. Duke thirrë delegatë: “Thuani ju, rri ti”. Kjo logjikë nuk ka, sepse po të mbetet kryetar i LDK-së, ai vetëm turpërohet më shumë.” – u shpreh Mehmetaj.










