Mehmetaj nxjerr deklarimin e djeshëm të Haxhiut: Qe me gojën e vet t’u kallxu që e kanë shkel ligjin

Gazetari Lirim Mehmetaj nxori deklarimin e djeshëm e të deputetes Albulena Haxhiu në “Interaktiv” te Eraldin Fazliu, për çka shkroi se “me gojën e vet” ajo pranoi se kanë shkelur Ligjin për Qeverinë, që e kanë shkruar po ashtu vetë.

“Nuk ka më hapësirë për diskutim rreth kësaj teme. U kry”, shkroi Mehmetaj.

Postimi i plotë:

Ja dhe më në fund e pranoi edhe vetë që kanë shkelur ligjin…

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si mysafire në emisionin Interaktiv në KTV e paska pranuar që para certifikimit të rezultatit zgjedhor vetëm kanë dorëzuar në KQZ letra me shkrim ku thonë se e pranojnë mandatin e deputetit.

Dhe vetëm dje, 15 prill, kanë dhënë dorëheqje.

Por, siç ia thotë saktësisht gazetari, ligji i vitit 2022, neni 26, thotë qartësisht se kërkohet dorëheqja e ministrit në detyrë, shprehimisht.

Pra, jo njoftimi në KQZ për pranim të mandatit të deputetit, por njoftimi në KQZ për dorëheqje nga pozita e ministrit në detyrë.

Ajo tregoi se dorëheqje kanë dhënë vetëm dje e jo para certifikimit të rezultatit zgjedhor siç e kërkon ligji.

Tash që e thanë me gojën e vet dhe e pranuan publikisht, s’ka më hapësirë për diskutim rreth kësaj teme.

U kry.