Gazetari Lirim Mehmetaj akuzon ministrin Faton Peci për kontratë të dyshimtë qiraje të një fabrike të ndërtuar me fonde të BE-së
Gazetari Lirim Mehmetaj ka ngritur akuza serioze ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, duke denoncuar një kontratë të dyshimtë për dhënien me qira të një fabrike të ndërtuar me financim të Bashkimit Evropian.
Në emisionin Debat Plus, Mehmetaj ka deklaruar se bëhet fjalë për një fabrikë për përpunimin e nënprodukteve shtazore, e ndërtuar me një investim prej rreth 10 milionë euro, e cila, sipas tij, i është dhënë me qira një kompanie të saporegjistruar për vetëm 2,500 euro në muaj.
Sipas Mehmetajt, objekti në fjalë përfshin 40 mijë metra katrorë tokë, pajisje të sofistikuara industriale, kamionë, cisterna, gjeneratorë dhe makineri të tjera të financuara nga Bashkimi Evropian. Ai ka theksuar se kjo kontratë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vendimin e vetë ministrit Peci për përcaktimin e çmimeve të tokave që shfrytëzohen për veprimtari jobujqësore.
“Sipas çmimores së Ministrisë së Bujqësisë, për tokat që nuk përdoren për qëllime bujqësore, çmimi më i ulët është 1.80 euro për metër katror. Në rastin konkret, vetëm për truallin e fabrikës – 40 mijë metra katrorë – qiraja mujore do të duhej të ishte 72 mijë euro. Për një periudhë 20-vjeçare, kjo shumë arrin në 17 milionë e 280 mijë euro, vetëm për qiranë e tokës,” ka thënë Mehmetaj.
Ai gjithashtu ka theksuar se dëmi potencial ndaj buxhetit të shtetit është shumë më i madh se 60 milionë euro, pasi përfshihen edhe subvencionet dhe investimet e tjera që janë bërë në këtë projekt nga BE.
Në dokumentin zyrtar të firmosur nga ministri Peci, thuhet se: “Çmimet për parcelat që shfrytëzohen për qëllime jobujqësore dhe për veprimtari të tjera, variojnë nga 1.80 deri në 2.50 euro për metër katror, varësisht nga sipërfaqja dhe pozita e parcelave.”