Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar një bisedë në “Whatsapp” mes zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe ish-kryeshefit të KEK’ut Nagip Krasniqit, ku “Bislimi i kërkoi Nagip Krasniqit t’ia jap tenderin një kompanie përkundër se u njoftua se nuk i plotëson kushtet dhe duhet të përjashtohet”.
Sipas Mehmetajt në këtë grup janë edhe kryeministri Kurti, ministrat Artane Rizvanolli e Hekuran Murati.
“Në një grup në platformën Whats App ku bënin pjesë, Nagip Krasniqi, Albin Kurti, Besnik Bislimi, Dejona Mihaili, Artane Rizvanolli, Hekuran Murati dhe Milot Kelmendi – bisedat e të cilit grup i kam siguruar – Nagip Krasniqi i njofton ata se si po shkonin punët për tenderin lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.”
Krasniqi shkruan se: “Sot komisioni i ka shqyrtuar ofertat: “STEAG nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifku. “Litëin S.A” një kompani zvicerane po ashtu nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifiku. I bie që vetëm INTERING (Kosovë) i plotëson kriteret. Këta kanë kërkuar 120 ditë për kryerjen e punëve”.
Bislimi ia kthen: “A ma mirë me i respektu specifikacionet e ma na kushtu 20 milionë më shumë për shkak të vonesave, apo me marrë dikë me direct contrat që e kryen për 60 ditë”.
Mehmetaj ka shkruar se Bislimi “kërkon që të shkelet ligji, të merret një kompani që nuk i ka plotësuar kushtet, madje të thirret në negocim të mbyllur dhe të shmanget ligji e të mos angazhohet kompania që plotësonte kushtet”.
“Si përfundim, këta vendosin t’ia bëjnë bash kështu dhe kompaninë “Litëin S.A”, që s’i kishte plotësuar kushtet, e thirrin në negocim, ia japin tenderin. Më e rënda, kjo kompani më pas nuk kryen punën për të cilën ishte angazhuar fare dhe Kosova përfundon me miliona e miliona humbje nga blerja e energjisë elektrike. Del se me këtë kompani zyrtarë të qeverisë së Kosovës kishin njohje paraprake, prandaj edhe vjen ndërhyrja e Bislimit. Kjo është hera e parë në Kosovë që i ke në një grup nga kryeministri duke shkelur ligjin me vetëdije të plotë. Ky është një nga rastet për të cilat po gjykohet Nagip Krasniqi. Prandaj edhe Albin Kurti e mbron.”