Mediumi luksemburgas: Serbia po ecën në një ‘litar të hollë’ midis Lindjes dhe Perëndimit – Vuçiq po e shtyn vendin drejt izolimit

Si trashëgimtarja e supozuar e Jugosllavisë së paangazhuar, kandidatja për në BE, Serbia, po ecën në ‘litarin e hollë’ midis Lindjes dhe Perëndimit, por presidenti i saj autoritar Aleksandar Vuçiq po humbet besueshmërinë si në vend ashtu edhe në botë.

Këtë shkruan e përditshmja e Luksemburgut, Tageblat, dhe shton se endjet politike të Vuçiqit po e shtyjnë vendin më tej në izolim, citojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Mediumi në fjalë kujton se si gjatë një vizite të kohëve të fundit në Beograd, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i tha Vuçiqit: “Ju e dini për hendekun në rritje midis demokracive dhe autokracive” dhe “ju i njihni shumë mirë qëndrimet e BE-së. Ne mbështesim lirinë në vend të shtypjes, partneritetin në vend të nënshtrimit, diplomacinë në vend të agresionit”.

Ashtu si ish-Jugosllavia, kandidatja për në BE, Serbia, po përpiqet të ecë në ‘litarin e hollë’ midis Lindjes dhe Perëndimit, shkruan Tageblat.

Gazeta kujton se si në vitin 2009, ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, foli për katër shtyllat e politikës së jashtme serbe – marrëdhënie të mira me BE-në, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në.

“Nën Partinë Progresive Serbe (SNS), e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2012, Beogradi ende zyrtarisht mbështet integrimin e vazhdueshëm në BE, por duket se, me përjashtim të investitorëve të BE-së, fondeve të para-anëtarësimit në BE dhe tregut të vetëm, është plotësisht i painteresuar për vlerat e BE-së. Përkundrazi, kreu autoritar i shtetit Vuçiq as nuk e fsheh se është i prirur drejt burrështetasve autoritarë”, vlerëson Tageblat.

Megjithatë, duket se regjimi në Beograd, përveç protestave masive në vend, është gjithashtu nën presion në rritje në frontin e jashtëm dhe se Vuçiq po e shtyn gjithnjë e më shumë vendin e tij në “izolim”.

Gazeta shkruan se për shkak të shitjes së armëve serbe në Ukrainë dhe vende të tjera, Moska ka besim vetëm të kushtëzuar te “kameleoni politik shumëngjyrësh” Vuçiq, dhe se e la Serbinë të luftojë në pasiguri në lidhje me nënshkrimin e kontratës së furnizimit me gaz, dhe se “me shpërthimet e tij të egra mbi dërgimin e dronëve në Kosovë, Vuçiq e shpërdoroi miqësinë e kolegut të tij autokrat, presidentit turk Rexhep Erdogan, të cilin e kishte quajtur prej kohësh mik”.

Ajo vë në pah edhe faktin se edhe administrata e re amerikane vendosi sanksione ndaj kompanisë serbe të naftës NIS.

Më tej, mediumi citon gazetarin serb, Ranko Pivljanin, sipas të cilit, “Vuçiq po përpiqet të jetë pak në krahët e ariut rus, pak në kthetrat e dragoit kinez dhe pak të mbahet pas shalës së xhaxhait Sam (një personifikim i zakonshëm kombëtar i Shteteve të Bashkuara, që përshkruan qeverinë federale ose vendin në tërësi), dhe me Brukselin po neglizhon pikërisht adresën ku i përket vendi, dhe rezultati është një katastrofë e pastër”.