Mëditjet deputetëve “për një orë punë” në seancat që po mbahen, Cakolli: Nuk ka presion, nuk ka as përgjegjësi

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se të gjithë po presin, derisa Kuvendi nuk po konstituohet.

Dhe kjo, sipas tij jo pse s’po gjendet zgjidhja, por pse askush nuk po e kërkon me të vërtetë.  “Sidomos partia fituese (relative) e zgjedhjeve”.

Sipas Cakollit, derisa s’ka Kryetar, ora kushtetuese nuk fillon.

“Nuk ka afate, nuk ka presion, prandaj nuk ka as përgjegjësi. LVV-ja e di që nuk i ka votat. Opozita e di po ashtu, por as ajo nuk është kompakte. Askush nuk lëviz, ngase askush s’po do as të qeverisë, as të shkojë në zgjedhje – tani për tani”.

“Dhe kjo sepse në momentin kur Kuvendi konstituohet, dikush do të duhet ta marrë barrën. Ose të qeverisë, ose të rrëzohet, ose të dorëzohet”.

Por sipas Cakollit, në këtë “lojë pa pasoja”, ka një paradoks.

“Në katër përpjekje për konstituim, dy janë me mëditje për deputetët. Por “punë efektive” është veç pak më shumë se një orë gjithsej. Kjo nuk është më krizë kushtetuese apo funksionaliteti. Të gjithë bëjnë sikur presin diçka. Por realisht, po presin që asgjë të mos ndodhë”.