Mediat serbe harrojnë turpin e Beogradit dhe shfrenojnë fantazinë: Huliganët shqiptarë nuk patën mëshirë

“Huliganët shqiptarë nuk patën mëshirë”. Kështu titullon media serbe “Pink” artikullin e raportimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në Tiranë, të mbyllur me rezultatin 0-0.

Takimi ishte pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, por përfaqësoi më shumë se një sfidë sportive – për shumëkënd, një provë nervash, profesionalizmi dhe vendimmarrjeje arbitrare.

Sipas raportimeve të mediave serbe, atmosfera në Tiranë ishte e ndezur dhe në disa raste jashtë kontrollit. Lojtarët e përfaqësueses së Serbisë u goditën pesë herë me objekte nga tifozët vendas, duke çuar në ndërprerje të herëpashershme të ndeshjes. Mediat serbe e cilësuan sjelljen e tifozëve shqiptarë si “të tmerrshme” dhe kritikuan ashpër arbitrin e takimit për mosmarrjen e masave të prera, transmeton a2cnn.

“Sipas të gjitha kritereve të UEFA-s, arbitri duhej të boshatiste tribunat ose të ndërpriste përfundimisht ndeshjen,” shkruan një nga portalet kryesore serbe, duke shtuar se nëse ngjarja do të kishte ndodhur në Beograd, “do të ishte e pamundur që ndeshja të vazhdonte”.

Edhe pse pati disa episode të hedhjes së sendeve në fushë, sjellja e tifozerisë shqiptare nuk krahasohet me atë të huliganëve serbë në takimin famëkeq të 11 viteve më parë, ku tifozët hynë në fushë dhe goditën lojtarët e Kombëtares tonë.