Mediat, pengesa e pakalueshme e Kurtit drejt kapjes totale të shtetit

Pesë vjet pushtet kanë qenë të mjaftueshëm që Kosova të dalë binarëve të demokracisë dhe të marrë rrugën drejt regjimit autoritar. Në vitin e tij të gjashtë në pushtet, Kurti këtë e ka treguar më së miri me luftën e tij kundër mediave kritike dhe që nuk ka mundur t’i blejë. Krejt këto shenja të misionit të tij për kapje të shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në rrugëtimin e tij pesëvjeçar drejt autoritarizmit apo thënë më thjeshtë kapjes totale të shtetit, ka pasur një pengesë që ia ka vështirësuar dhe pamundësuar misionin: mediat e pavarura dhe kritike ndaj tij.

Kosova nën drejtimin e Kurtit e ka marrë rrugën drejt autoritarizmit. Ai dhe banda e ministrave e vartësve të tjerë për më shumë se një vit kanë shkelur të gjitha normat, deri te Kushtetuta dhe kanë krijuar terren për polarizim të thellë. Ndërkaq, nuk janë ndalur në përpjekjet e tyre që në rrugën për kapjen e shtetit të eliminohet opozita.

Udhëheqësit autoritarë kur dështojnë të heshtin mediat duke i financuar ato, nisin sulmet në përpjekje për t’i frikësuar e për të heshtur kritikën.

Kurti në Kosovë me lëvizjen e tij Vetëvendosje ka shpenzimet më të larta ndër partitë parlamentare për vitin 2025. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve financiare është orientuar drejt mediave të caktuara dhe shërbimeve të komunikimit.

Mirëpo të tjerave ua ka mësyrë me sulme. Kurti këtë e ka bërë edhe të enjten duke u thirrur në “raportimet për para me thasë” të kryeredaktorit të Kallxo.com, Kreshnik Gashi, i cili i referohej dosjes së Prokurorisë për rastin e Fatmir Shehollit.

Kurti tha se këto “manipulime po vinë nga armiqtë tanë dhe po gjejnë argat brenda vendit tonë.”

“Fjala e thënë duhet të jetë e lirë. Por fjala s’është e lirë nëse e kapur për raportimet për thasë parash, ato janë kërcënim i drjetpërdrejtë për integritetin. Paraja blen ndikim, orienton narrativë, dhe në fund deformon opinionin e qytetarit. Ky manipulim po vjen direkt nga armiqt tanë, dhe po gjejnë argat brenda vendit tonë. Pavarësia s’mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen. Liria editoriale duhet të pasqyrohet me transparencë të plotë për pronësi. Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat e tij, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel. Nëse në diktaturat e dikurshme kontrolloheshin rezultatet, sot nga oligarkia ka mundësi të kontrollojë premisat,” tha Kurti.

Në Kuvend i ka reaguar deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e akuzuar Kurtin për mashtrim.

“Sot erdh mashtruesi para nesh me një mashtrim ideal”, tha Haradinaj, ndërsa Haxhiu i tha “kujdes fjalorin”. “Ju luftem, mashtrimi nuk është fyerje. Sot ndodhi një mashtrim në këtë foltore e po dua ta demaskoj”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kurti mban përgjegjësi për rritjen e çmimeve dhe faturat e shtrenjta të energjisë elektrike.

“Oligarkët tu kryeministër janë tu shitë e tu ble energji. Edhe po ju shtohen kompanitë përditë njerëzve të afërm të tu”, tha ai.

Haradinaj tha se Kurti “shpenzon më së shumti pare duke ushqy zagarë me i fy shqiptarët”.

Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese të Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë, duke i vlerësuar ata “argatë të armiqve”.

“Një gjuhë e tillë është vazhdimësi e fushatave të parreshtura të Kurtit, partisë dhe Qeverisë së tij, kundër gazetarëve dhe mediave me synim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë”, thuhej në një reagim të AGK-së.

AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për një proces transparent për hartimin e ligjit të ri të KPM-së me gjithëpërfshirje në diskutime, të ndalojë presionin politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK dhe menjëherë të heqë dorë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.

Sulmi i ri i Kurtit kundër mediave dhe gazetarëve vjen vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve që konkludoi se Kosova ka shënuar rënie të vazhdueshme të lirisë së medias në vitet e fundit./Paparaci.com/