Mediat boshnjake: Dodiku është në Moskë

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik është larguar drejt Moskës. Kjo është ajo çfarë raportojnë mediat në Bosnje e Hercegovinë, pasi vet Dodiku publikoi në platformën X këtë të shtunë një status ku shkruhej “Kam mbërritur”, pa dhënë më shumë detaje.

Milorad Dodiku pritet që në ditët në vijim të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, edhe pse deri më tani nuk ka një konfirmim nga Kremlini.

Dodiku ishte arratisur më herët drejt Izraelit, por pasi Tel Avivi zyrtar i kërkoi të largohej, presidenti i Republikës Srpska shkoi në Beograd dhe që prej atje dyshohet se ka udhëtuar drejt kryqeytetit rus.

Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, të cilët konsiderohen aleatë të Dodikut, nuk do të zbatonin një kërkesë për urdhërarrest ndaj presidentit të Republikës Srpska, sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Më 26 shkurt, Milorad Dodiku u dënua në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur poste publike , për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.