Deklarata skandaloze të anëtarit të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, për mediat, pritet ta çojnë atë në Polici.
“Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”, thoshte Sami Kurteshi
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës ta intervistojë Kurteshin për deklaratat e tij.
Kështu ka mësuar nacionale nga burimet e saj brenda Prokurorisë.
“Është lëshuar autorizimi në Polici, pas deklaratave për vrasës me pagesë. Policia do ta intervistojë”, thane burimet e Nacionales.
Mediat e kishin përcjellur procesin e rinumërimit të votave me postë, përkatësisht disa kuti të tilla ku në qendrën e numërimit, veç tjerëve, ishte edhe zyrtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.
Ky i fundit, pyeti gazetarët se pse po e përcjellin.
“Pse po më vini prapa. A mu keni ardhë me m’përcjell a?”, thotë Kurteshi.
“Qëllimi juaj është me bë tituj kriminel për Vetëvendosjen. Media kriminale që e kanë një qëllim”, thotë Kurteshi.
“Ju pse jeni këtu? A mendoni se jeni tuj bë presion të vazhdueshëm…?” – pyet gazetarja, Kurteshin.
“Jo hajt zonjë ec allahile. Ju jeni media kriminale të vrasësve me pagesë”, përsërit ai.
“Prej gazetës Nacionale? Jo s’je gazetë, nuk kam pa gazetë Nacionale, ju nashta keni pa. jeni të instruktumë prej një krimineli që është përbaltës dhe ndihmës i vrasësve me pagesë”, thotë Kurteshi.
Edhe para pak ditësh, i njëjti person me emrin Sami Kurteshi, ishte në qendrën e numërimit ku po bënte presion ndaj vëzhguesve.
Për këto deklarata, kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve” thuhej në reagimin e AGK-së.
Kjo nxiti reagime të mëdha nga analistë, gazetarë por edhe rrjeti Safe Journalists.
Më pas, Kurteshi kishte reaguar sërish, duke vazhduar ta sulmojë edhe AGK-në.