Me sa vjet burgim mund të dënohet Rozeta Hajdari, sipas Kodit Penal të Kosovës?

Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të buxhetit të Kosovës me dëm prej  2,912,134.78 euro.

Sipas Prokurorisë, Hajdari bashkë me dy të pandehurit e tjerë I.L dhe H.G, akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur një person zyrtar akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, mund të dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Neni i plotë i Kodit Penal për këtë vepër penale:

Kurse për veprën tjetër penale të cilën akuzohet Hajdari, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, sipas Kodit Penal,  i bie që kur një personi zyrtar i cili pa autorizim kumton, dërgon ose në ndonjë mënyrë tjetër i vë në dispozicion personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare ose siguron informatën e tillë me qëllim që t’ia përcjellë ndonjë personi të paautorizuar, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.

Neni i plotë i Kodit Penal për këtë vepër penale:

Prokuroria tutje ka pohuar se të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M.

Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore. /Klankosova.tv