Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pranuar se nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të formuar Qeverinë. Kurti gjatë intervistës për transmetuesin publik u shpreh se i gjendur në ngërc politik, ka kërkuar mbështetje nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më në fund ka folur për dështimet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku nesër pritet të zhvillohet përpjekja e 19-të.
Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se besonte që procesi do të përfundojë shpejt, por deri më tani kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Kurti ka shtuar se Haxhiu është kandidatura e duhur, pasi është gruaja më e votuar në legjislaturën e nëntë.
“Ne kemi besuar që do ta kemi konstituimin e kuvendit shumë të shpejt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur, përveçse ne jemi të obliguar që ta kemi propozimin si parti fituese. 57 deputetë ishin për Albulena Haxhiun, nevojiteshin 61, në mesin e tyre nuk janë vetëm të koalicionit LVV- Alternativa e Guxo por edhe deputetë të pakicave. Nuk arritëm t’i kemi 61, provuam disa herë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për pengesat në Kuvend, Kurti theksoi se është bërë përpjekje që zgjidhjen ta japë presidentja, por ajo i ka kthyer përgjigje se Kuvendi duhet vetë të gjejë rrugën e daljes nga ngërçi. Ai përmendi se përpjekjet për votim të fshehtë janë refuzuar disa herë, duke e quajtur këtë situatë “të paprecedentë” dhe shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kryesuesi, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes dhe ajo tha se ju vetë duhet ta gjeni zgjidhjen. Kaluam nga votimi i hapur në përpjekje për votim të fshehtë, mirëpo tash jemi në këtë pikë ku 10 herë është refuzuar komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë. Është për të ardhur keq, meqë aktgjykimi i Kushtetueses në pikat 124 dhe 125 thotë se me votim të hapur ose të fshehtë duhet të bëhet zgjedhja. Ne kaq kemi mundësitë tona, por ajo çfarë po ndodhë është e paprecedentë sepse po pamundësohet kuorumi, sepse aktgjykimi gjithashtu thotë se të gjithë deputetët, secili e secila duhet të votojë për, kundër ose të abstenojë. Por, ajo çfarë kemi tash, jo emri i Albulena Haxhiut tashmë, por kundërshtimin e votimit të fshehtë përmes pamundësimit të kuorumit që është shkelje e aktgjykimit”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se ka ftuar PDK-në dhe LDK-në në takime për të gjetur zgjidhje, por pa sukses. Ai kritikoi veçanërisht LDK-në për refuzimin e ofertës për koalicion qeverisës.
“Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht votimi i fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton, le ta provojmë me votim të fshehtë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Kreu i VV-së, arsyetoi kandidimin e Haxhiut për kryetare të Kuvendit me votat e marra në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se është gruaja më e votuar nga të gjitha partitë.
”Albulena Haxhiu është deputetja femër më e votuar . Dhe me mbi 125 mijë vota është propozimi i duhur. 57 deputet ishin për Albulena Haxhiun, në mesin e tyre nuk janë vetëm të VV-së, Listës Guxo dhe Alternatives por ishin edhe 9-ntë deputet të pakicave. Duke e parë që nuk i kemi 61 vota, provuam që zgjidhjen të na jap presidentja, ajo tha që duhet ta gjeni vet zgjidhjen. Kaluam nga votim I hapur në atë të fshehtë ku 10-herë është refuzuar komisioni për votim të fshehtë…ajo cfarë po ndodh është e paprecedentë sepse po pamundësohet kuorumi. Nuk është emri i Albulena Haxhiut por tash kemi kundërshtimin për votimin e fshehtë. Në këtë situatë provova të mblidhesha me kryetarin e LDK-së, dhe PDK-së sepse edhe ata I kanë nënkryetarët në Kuvend. Takimi trilateral përfundoi me bilateral. Nga LDK më thanë që nuk është vendi e koha për marrëveshje por duhet marrëveshje politike, andaj i ofrova koalicion që u refuzua mjaftë ashpër. Nëse opozita janë të sigurt që Albuelna nuk kalon, atëherë le ta provojmë me votë të fshehtë”, u shpreh Kurti.