Më 17 prill përkujtohet masakra e Poklekut, aty ku para 27 vjetësh ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 57 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te të moshuarit 75-vjeçarë.
Sot, në emisionin “Ora Shtatë”, mbi këtë ngjarje të trishtë të popullit shqiptar , ka folur i mbijetuari i kësaj masakre, njëherësh ish-ushtar i UÇK-së, Fadil Muqolli, i cili humbi 14 anëtarë të familjes në pranverën e ’99-ës.
Mes emocioneve të forta, Muqolli tha se për ta pranvera është shumë e rëndë, transmeton Klankosova.tv.
“Në anën tjetër, kur e kemi pavarësinë, kur e kemi lirinë, është më e lehtë. E këto ditë të që i jetojmë, janë më të shenjta që çdo individ e familje”, u shpreh në Klan Kosova i mbijetuar i masakrës së Poklekut.
Ai rrëfeu ditën e shtunë të 17 prillit të 1999, ditë me shi, ditë që fshati Poklek u rrethua nga të gjitha anët.
“Forcat serbe s’kemi mundur me i ndalë me hy në shtëpi. Kanë shku në shtëpi time, i kanë nxjerr familjarët nga shtëpia i kanë numëru, dhe i kanë fut sërish në shtëpi. E kanë marr babën me burra të tjerë, dhe i kanë ekzekutuar në oborr”, u shpreh Muqolli.
Po ashtu, ish-ushtari i UÇK-së tregoi se si regjimi serb bombardoi e masakroi të 57 civilët e Poklekut, teksa tha se vetëm gjashtë qytetarë kanë arritur të mbijetojnë.
“Çka flasin, dhe çka kanë pa ata, është e tmerrshme, që vetëm një qenie njerëzore nuk mund ta bëjë”, rrëfen Muqolli.
Në mesin e të vrarëve, ishin edhe bashkëshortja e Muqollit bashkë me katër fëmijët e tij.
“Të nesërmen prapë janë kthyer, e kanë djeg dhomën. Vëllai ka hyrë në dhomë, i ka pa trupat e djegur dhe trupa të copëtuar nga bombat. Pas katër ditësh, janë kthyer prapë, e kanë djeg dhomën edhe një herë, dhe krejt shtëpinë”, u shpreh ai mes lotësh.
“Kur më kanë thënë se e kanë vra krejt familjen dhe e kanë djeg, s’di qysh jom ndje, e tmerrshme, s’mundem me përshkru. Por në kushtet që ishim, s’kishim kohë as me u mërzitë”.
Ndërsa ai shtoi se i vjen keq që drejtësia ndërkombëtare e kombëtare, sipas tij, po i fshehin krimet.
“Nuk kam asnjë shpresë në drejtësisë ndërkombëtare”.










