Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurores Dulina Hamiti, është ndërprerë seanca e së hënës ndaj të akuzuarit Arsim Syla, i cili ngarkohet për vrasjen e V.B., në “Interex”
Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të seancës, prokurorja Hamiti njoftoi trupin gjykues se nuk ka arritur të sigurojë kopje të mjaftueshme për palët në procedurë të raportit njoftues dhe dy CD-ve.
Andaj, kërkoi nga trupi gjykues ndërprerjen e seancës së sotme me qëllim të sigurimi të këtyre kopjeve për mbrojtjen e të akuzuarit dhe palën e dëmtuar.
Andaj, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurores Hamiti, duke e obliguar që të pajisë mbrojtjen me raportin njoftues dhe dy CD-të në afat prej shtatë ditësh.
Po ashtu, në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku bëri të ditur se lidhur me dëshmitarin e propozuar nga mbrojtja e palës së dëmtuar- Arlind Hyseni, kanë pranuar njoftim nga Stacioni Policor në Podujevë se gjendet jashtë vendit.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i palës së dëmtuar- avokati Nasuf Hasani njoftoi se kanë hequr dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.
Në fund, pas aprovimit të propozimit të prokurores Hamiti, gjyqtarja Dermaku mori aktvendim me të cilin e ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.