Me kërkesë të Albulena Haxhiut, shtyhet seanca gjyqësore për gazin lotsjellës -shkak seanca konstituive në Kuvend

 

Me kërkesë të të akuzuarës Albulena Haxhiu- njëherësh ministre në detyrës e Drejtësisë, për shkak të caktimit të seancës konstituive për në orën 10:00, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Haxhiu, dhe ish-deputetët Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykatësi Bujar Ahmeti tha se Haxhiu ka parashtruar kërkesë për shtyrje të seancës, për shkak të caktimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të pranishëm në seancë ishin të akuzuarit Lekaj, Kadaj-Bujupi dhe Baftiu.

Mbrojtësi i Lekajt, avokati Musa Damati kërkoi të pajisen me shkresa të lëndës në seancën e radhës.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty dhe e radhës u caktua për në qershor.

Ndryshe, për orën 10:00 është caktuar vazhdimi i 12-të i seancës konstituive, ku Haxhiu është e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetër Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo Prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.