ME: Disbursimi i fondeve të subvencionimit pritet të përfundojë në korrik

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se bazuar në njoftimin e pranuar nga Bashkimi Evropian, pritet që procedurat për disbursimin e fondeve të përmbyllen deri në muajin korrik 2025 nga ana e tyre, dhe më pas Ministria e Ekonomisë do të ekzekutojë pagesat për qytetarët përfitues të kësaj pako për subvencionimin e pajisjeve efiçiente.

“Kjo pako është dizajnuar për të mbështetur drejtpërdrejt qytetarët, përfshirë familjet me të ardhura të ulëta dhe kategori të tjera të cenueshme përmes subvencionimit të pajisjeve me efiçiencë të lartë të energjisë dhe sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e amvisërisë”, thuhet në komunikatën e ME-së.

Tutje theksohet se deri më tani, në bazë të një procesi të rregullt të vlerësimit dhe miratimit nga komisionet përkatëse, janë përzgjedhur 11,188 përfitues, me një vlerë të përgjithshme prej 4,987,061 euro, të cilët kanë përmbushur të gjitha kriteret e vendosura dhe janë njoftuar përmes Komisioneve Vlerësuese.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe 1459 përfitues/qytetarë dhe 10 përfitues/biznese të cilët pritet të disbursohen nga këto mjete deri në fund të korrikut.

“Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur me kohë të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili përcakton funksionimin e Komitetit Drejtues dhe Koordinues për zbatimin e Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike në kuadër të së cilit është dorëzuar raporti përfundimtar i implementimit në Zyrën e Bashkimit Evropian (ZBE) në Kosovë më datë 28 Shkurt 2025. Ministria e Ekonomisë shpreh keqardhje për vonesën e disbursimimit të mjeteve tek një pjesë e përfituesve si rezultat i kësaj situate”, thuhet tutje në komunikatë.

The post ME: Disbursimi i fondeve të subvencionimit pritet të përfundojë në korrik appeared first on Kosovapost.net.