Kaltrina Hysenaj nga komuna e Istogut ka rrëfyer për gazetën Nacionale hakmarrjenm absurde dhe – sipas saj – tërësisht të pakuptueshme të diskriminimit institucional nga ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në rastin e caktimit të lokacionit për të ushtruar funksionin e noteres. Hysenaj u caktua për të ushtruar detyrën si notere në komunën veriore të Leposaviqit – një lokacion që, sipas saj, është krejtësisht i papërshtatshëm për shkak të distancës së konsiderueshme nga vendbanimi i saj, rrezikshmërisë së lartë, si dhe mungesës së njohurive bazë të gjuhës serbe.
Ajo ka treguar se pavarësisht se kishte marrë 95 pikë – rezultatin më të lartë në konkursin për emërimin e noterëve – u caktua në komunën veriore të Leposaviqit. Madje, sipas saj, Komisioni për përzgjedhjen e noterëve nuk ka përgatitur raportin real të intervistave.
“Unë kam aplikuar për emërim për noter në vitin 2024 dhe gjatë intervistës i kam përmend tri komuna si preferenca të mia, duke filluar nga më e rëndësishmja e tutje. Unë jetoj aktualisht në Istog dhe është komuna më e përshtatshme për mua. Mua më ka emëruar në komunën e Leposaviqit edhe pse i kam pasur 95 pikë. Nuk është ardhur në shprehje të merren parasyshë pikët, qysh e thotë edhe Udhëzimi Administrativ, sepse pas intervistës të cilën e kemi pasur ne, Komisioni për përzgjedhjen e noterëve është dashur që ta përgatisë një raport real për të gjithë kandidatët. Në këtë rast, Komisioni nuk ka përgatitur as raport real për intervistën të cilën e kemi pasur vitin e kaluar.”
Ajo përmendi edhe Udhëzimin Administrativ – të cilin tha ish-ministrja Haxhiu e ka shfuqizuar më 27 mars – që, sipas saj, përcaktonte qartë se përzgjedhja e noterëve duhej të bazohej në pikët e marra nga kandidatët, kur ka më shumë aplikantë për të njëjtën komunë.
“Përveç këtij fakti, ka ekzistuar edhe Udhëzimi Administrativ të cilin ish-ministrja Haxhiu e ka shfuqizuar me datë 27 mars 2025, ku thotë: ‘Shfuqizohet Udhëzimi Administrativ numër 09, 2011 për procedurën e konkurimit dhe përzgjedhjen e zyrave noteriale’ – për të cilin udhëzim administrativ deri dje thoshte se nuk është në fuqi. Momentin që e ka shfuqizuar këtë ligj, e ka bërë për faktin se në këtë ligj, në mënyrë shumë të qartë, thuhet se: ‘Në momentin që në një komunë aplikojnë më shumë kandidatë për noterë për t’u emëruar, atëherë si kriter kryesor duhet të merren pikët të cilat i ka ai kandidat’ – ku në këtë rast unë jam kandidatja me pikët maksimale në Kosovë nga të dyja konkurset.”
Hysenaj përmendi edhe vështirësitë logjistike për të ushtruar profesionin në komunën e përcaktuar, ndërsa kritikoi Haxhiun për trajtim të padrejtë ndaj një kandidateje të suksesshme.
“Kjo ish-ministre, e cila është shumë e zëshme gjatë intervistave, ku thotë se i mbron gratë, atëherë ku është dinjiteti i kësaj ministre? Unë nuk po e kuptoj. Përderisa tejkalohet një kandidat që është shumë i suksesshëm dhe emërohet një kandidat tjetër.




Unë kam kërkuar shtyerjen e fillimit të punës për faktin se, siç dihet, siguria për një grua në Leposaviq është e ulët. Për më tepër, atje nuk mund të siguroj as zyrë dhe më së paku për të udhëtuar vajtje-ardhje janë diku rreth 160 kilometra. Ku është dinjiteti i kësaj ministre? Si mund të tejkalohet kandidati që i ka pikët maksimale? Unë s’kam as njohuri elementare të gjuhës serbe. Këtë e kam thënë edhe në intervistë, ku kam theksuar në mënyrë të qartë që unë nuk kam njohuri të gjuhës serbe dhe i kam kërkuar tri komuna. Preferenca ka qenë në Istog për shkak se jam edhe nënë e dy fëmijëve. Ministrja i ka kaluar të gjitha kompetencat e veta në këtë rast, përderisa mua më ka emëruar në një komunë veriore ku nevojitet së paku komunikimi elementar edhe me palët.
Hysenaj akuzon Haxhiun se ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe se nuk ka pasur as gatishmërinë më të vogël për komunikim institucional.
Shkelja e Udhëzimit Administrativ shihet qartë, sepse i ka tejkaluar kompetencat e veta, sepse është thirrur në ligj që deri dje thoshte që nuk është në fuqi dhe e ka shfuqizuar me datë 27 mars. Unë i kam shkruar e-mail ministres me datë 26 korrik, ku e kam njoftuar dhe kam kërkuar prej saj që të më dërgojë në një komunë të afërt me Istogun ose në Istog, por e njëjta në asnjë mënyrë nuk është përgjigjur. Përderisa nne s’kam pasur asnjë kontakt më të voglin më të, une nuk e di cili ka qenë qëllimi i saj.”