Me bukë e kripë

“Me bukë e kripë”, kështu e përshkruan tryezën e familjes së tij, Azem Bilalli nga Vranjevci i Prishtinës. Gjashtëdhjetë vjeçari rrëfen se po përpiqen të mbijetojnë me vetëm 100 euro ndihmë sociale në muaj – shumë kjo që nuk po u mjafton as për gjëra elementare.

Kryefamiljari rrëfen jetën e vështirë dhe mjerimin në të cilin po kalon, bashkë me katër anëtarë tjerë të familjes. Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm, kjo familje po kërkon ndihmë nga shteti dhe njerëzit e vullnetit të mirë.

“Njëqind euro veç barna nuk dalin. Gruan e kam me diabet, nëna është shtritë, e paralizuar, po duhet me barna. Se di çfarë të them tjetër”, rrëfen ai.

Gjatë gjithë rrëfimit të tij, Azemi tregon se si nuk po arrin asnjëherë të mbush sofrën me ushqim.

“Me bukë e kripë, me çka ta kalojë muajin me tjetër gjë. Për tjerat nuk po mjaftojnë”, shton ai.

Gjithçka është bërë më e vështirë edhe me rritjen e çmimeve, ku familja Bilalli nuk po arrin të bëjë jetë normale.

Ngritja e çmimeve ka prekur edhe shumë familje të tjera në nevojë, të cilat mezi po arrijnë të sigurojnë jetesën.

Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës thotë se janë shtuar ankesat e këtyre familjeve.

“Për momentin tek ne, përveç ankesave të familjeve, nuk është vërejtur diçka e madhe por është e pritshme. Në momentin kur ngriten çmimet, zvogëlohet shporta e konsumatorit. Ne presim që të ketë një trend ngritës, qoftë në kërkesa për familje të reja ose nevojat e tyre, ne e shohim edhe tek donatorët kur vijnë pakot. Ndryshe ka kushtuar një pako para dy vitesh, ndryshe kushton tash. Ose sasia e produkteve është shumë më e vogël tash për shkak të ngritjeve të çmimeve”, deklaron Shala.

Kryqi i Kuq i Kosovës çdo vit ndihmon me pako ushqimore, higjienike e veshmbathje gati rreth 10 mijë familje.

“Zakonisht është ajo kërkesa e tyre për ushqim dhe veshmbathje. Ajo është kërkesa ose nevoja më e madhe e tyre, qysh do të ja dalë deri në fund të muajit. Kemi raste kur shkojmë që ndoshta nuk e ka asnjë kilogram miell, asnjë shishe vaj, produkte shumë bazë elementare, kërkesat e ushqimit janë të nevojshme. Ka edhe raste tjera, rregullimi i shtëpisë ose ambienteve ku jetojnë, mirëpo kërkesa kryesore është ushqimi dhe veshmbathjeve”, shton ai.

Megjithatë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale ka shënuar rënie.

Ndërkaq, Azem Bilalli nga Vranjevci i Prishtinës ju bën thirrje institucioneve për ndihmë dhe rritje të asistencës sociale. /Kosovapress