Ndeshjet mes Bayern Munich dhe PSG janë shndërruar në një “klasike moderne”. Dy skuadrat janë përballur 14 herë në historinë e tyre. Ato kanë bilanc fitoresh mjaft të ekuilibruara: 8 fitore për bavarezët dhe 6 për parizienët. Megjithatë, kohët e fundit, Bayerni është kthyer në makthin e PSG-së. Ka fituar 6 nga 7 përballjet e fundit kundër klubit francez.
Më e paharrueshmja mbetet finalja e Champions League 2019-2020, e luajtur gjatë pandemisë së koronavirusit. Bayerni fitoi 0-1 në stadiumin “Da Luz”, duke mposhtur skuadrën e udhëhequr nga Neymar, Di María dhe Mbappé. Goli, për ironi të fatit, u realizua nga një ish-lojtar i akademisë së PSG-së, që ishte larguar falas: Kingsley Coman.
“Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Ndihem shumë i lumtur, por edhe pak i trishtuar. Zemra më dhemb pak për PSG”, – deklaroi Coman, i cili shënoi gjithashtu golin e parë të këtij edicioni të Kupës së Botës për Klube.
Fati, si gjithmonë i çuditshëm, bëri që Coman të shënonte sërish 905 ditë më vonë, duke ndihmuar eliminimin e PSG-së në 1/8 finale të Champions League 2022-2023. Ndërkohë, në sezonin 2020-2021, Bayerni e eliminoi PSG-në në çerekfinale.
Ballafaqimi i fundit mes tyre ndodhi këtë sezon, më 26 nëntor në “Allianz Arena”. Ishte ndeshje e fazës së ligës së Champions League dhe Bayerni fitoi sërish 1-0, me gol të Kim Min-jae.
Humbja e la PSG-në në prag të eliminimit, ishte e 26-ta në renditje, dhe e vuri Luis Enrique në qendër të kritikave. “Ky trajner të shteron. Është nga ata që e boshatis klubin. Sapo përballet me një skuadër me pak organizim, shembet”, – tha asokohe Daniel Riolo për “RMC”.
“PSG nuk më emocionon fare, mërzitem duke e parë”, – shtoi Emmanuel Petit.
“L’Équipe” shkroi thjesht: “Degradim”.
Luis Enrique mbrojti veten: “Skuadra jonë ka një projekt shumë interesant për të ardhmen. Nuk duhet të kërkojmë heronj apo fajtorë, por nëse është dikush për t’u fajësuar, jam unë. Mos u shqetësoni, i pranoj të gjitha kritikat”.
Në atë moment, “Lucho” u bë trajneri me përqindjen më të lartë të humbjeve në Champions, në historinë e PSG-së: 47%.
Ultrasit e Bayernit shfaqën një pankartë kundër Al-Khelaïfit: “Ministër, pronar klubi, zotërues i të drejtave televizive, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe anëtar bordi në ECA në të njëjtën kohë? Çfarë futbolli është ky? Shkofsh në djall, plutokrati Al-Khelaïfi!”
Klubi gjerman kërkoi falje: “Kjo banderolë nuk përputhet me marrëdhëniet e mira që kemi me PSG-në”.
Humbja në Mynih shënoi pikën e kthesës për PSG-në, që arriti të kalojë fazën e “pla yoff”-eve, duke eliminuar Salzburgun (3-0), City (4-2) dhe Stuttgartin (4-1). Dhe për ironi, e fitoi Champions-in e parë në historinë e vet në… “Allianz Arena”.
Ajo ndeshje ishte pikë kthese edhe për Dembélé, që u ndëshkua me karton të kuq kundër Bayernit: “Ishte një ndeshje e vështirë, në një periudhë të vështirë. Duhej ta ndryshoja dinamikën dhe e bëra”.
Sot, dy skuadrat do të përballen sërish, këtë herë në Kupën e Botës për Klube, teksa Bayerni i frikshëm rrezikon ëndrrën e PSG-së.
The post Me Bayernin filloi gjithçka për PSG-në e Luis Enrique: Nëse dikush duhet fajësuar…, jam unë appeared first on Telesport.