Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për balotazh do të fillojë më 29 tetor dhe do të përfundojë më 4 nëntor.
Për ta mundësuar votimin e personave të regjistruar, KQZ-ja do të angazhojë ekipet mobile gjatë 9 nëntorit – ditës së balotazhit.
Për regjistrim është vënë në funksion platforma – vpnv.kqz-ks.org
Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të bëhet në bashkëpunim me institucione relevante dhe përmes platformës eletronike, e cila do të jetë e qasshme në kohën e fillimit të këtij procesi.
Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë tri kategori kryesore:
- VOTUES ME NEVOJA TË VEÇANTA
Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.
Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.
Vëmendje: Votuesit nga kjo kategori, që janë regjistruar në raundin e parë, nuk kanë nevojë të bëjnë regjistrimin e ri.
- VOTUESE ME LËVIZJE TË KUFIZUAR NË INSTITUCIONE
Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.
Vëmendje: KQZ, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të bëjë përditësimin e listave të votuesve nga kjo kategori që janë regjistruar gjatë raundit të parë.
III. VOTUES NË RRETHANA TË VEÇANTA
Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votusit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.
Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.










