MD pritet të lansojë platformën online për diasporën
Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, priti sot zëvendësdrejtorin e Agjencisë për Migracion nga Maqedonia, Osman Shukriu, i cili shoqërohej nga përfaqësues të kësaj agjencie.
Shukriu theksoi se kjo agjenci, e cila vepron në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë, ndihmon për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe te mërgimtarët, si dhe për ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen.
Me këtë rast, ai e njoftoi zëvendësministrin Daci për vizitat e zhvilluara me diasporën në Amerikë, Australi e Kanada, për furnizimin e shkollave shqipe me libra, për takimet e diasporës prespane, që mbahen çdo vit, qëllimi i të cilave nuk është vetëm takimi i mërgimtarëve, por edhe shkëmbimi i përvojave të punës, si për sfida, me të cilat përballen mërgimtarët shqiptarë të Maqedonisë, si pajisja me dokumente identifikimi.
Në anën tjetër, Daci njoftoi përfaqësuesit e kësaj agjencie se së shpejti edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjikedo ta lansojë platformën “online”, përmes së cilës do të mund të merren informata për diasporën, arsim e kulturë.
Ky takim përfundoi me dakordimin që të punojnë të gjithë së bashku për unifikimin e diasporës shqiptare në botë.