MC Kresha rrëfen lutjet që bën para se të ngjitet në skenë

Reperi i njohur nga Kosova, MC Kresha, një nga emrat më të respektuar në skenën e hip-hopit shqiptar, ka ndarë një anë më pak të njohur të tij në një intervistë për emisionin “Prive”.

Përtej famës dhe ritmit të koncerteve të mëdha, Kresha ka treguar se për të, besimi dhe spiritualiteti janë një pjesë e rëndësishme e jetës.

Duke folur për fenë dhe lidhjen e tij me të, artisti është shprehur se kjo temë shpeshherë nuk gjen shumë vend në diskutimet publike.“Unë kam folur shumë herët për këtë pjesë, por tek ne nuk iu intereson shumë njerëzve kjo gjë”, ka thënë ai.

MC Kresha ka ndarë me publikun edhe ritualin e tij para çdo daljeje në skenë, një moment lutjeje dhe reflektimi që bën së bashku me anëtarët e tjerë të ekipit të tij.

“Secili artist e ka atë anën spirituale të vetën. Ne e bëjmë një dua ku së pari i lutem Zotit për shëndetin, për mundësinë edhe shansin me u kënaq për këtë publik që ka ardhur”, tregon ai me sinqeritet.

Lutja e tij nuk përqendrohet vetëm në suksesin personal, por në sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve që marrin pjesë në koncert.

“Në masën më të madhe, i lutem Zotit që gjithçka të kalojë pa asnjë incident, pa asnjë të keqe. Që të gjithë të arrijnë nëpër shtëpitë e veta shëndoshë e rehat”.

Ky mesazh, i thjeshtë por i fuqishëm, shërben edhe si kujtesë për publikun që pas çdo artisti qëndron një njeri me vlera, ndjeshmëri dhe një botë të brendshme që shpesh nuk shihet në dritën e skenës.