Mbyllja e zyrave paralele në veri, Gjermania: Jo më hapa përshkallëzues, veprimet e tilla rëndojnë marrëdhëniet tona

Gjermania ka dënuar mbylljen e zyrave të strukturave paralele të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se ” Koordinimi dhe bashkëpunimi është i nevojshëm, jo hapa të mëtejshëm përshkallëzues”.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ka thënë se këto veprime rëndojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“I bëjmë thirrje urgjente Kosovës që të përmbahet nga shënjestrimi i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te qytetarët e vetë Kosovës, shkojnë kundër detyrimeve dhe angazhimeve të saj ndaj BE-së dhe rëndojnë marrëdhëniet tona dypalëshe”, ka shkruar Reiffenstuel.

Edhe Bashkimi Evropian ka dënuar mbylljen e këtyre institucioneve.

“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, u tha në një deklaratë të BE-së.

BE-ja i bëri thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës që “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.