Mbyllja e shkollave, ish-zëvendësministri Popovci: Është pasojë e drejtpërdrejtë e zvogëlizimit të popullësisë

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, tha se mbyllja e shkollave lidhet drejtpërdrejt me rënien e lindshmërisë dhe shpërnguljet, kryesisht në zonat rurale.

Ai ka përmendur se një anketë e MAShTI-t në vitin 2022 kishte evidentuar mbi 120 shkolla me më pak se 100 nxënës, numër që sipas tij, ka gjasa të jetë rritur.

“Është pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve demografike e zvogëlimit të popullsisë, në radhë të parë si rezultat i rënies së lindshmërisë, por edhe shpërnguljeve dhe është një fenomen i cili ndodh në zona rurale. Që në vitin 2022 Ministria e ka bërë një anketë ku kanë dal mbi 120 shkolla të ndryshme të cilët kanë numër më të vogël se 100 nxënës, por ai numër edhe duhet të jetë rritur”, tha ai për Front Online.

Kur u pyet për rrezikun e braktisjes së shkollës pas mbylljes, Popovci tha se kjo nuk duhet të ndodhë dhe sipas tij vendimet merren vetëm kur ka pak nxënës.

“Braktisja nuk guxon të ndodh, në momentin që merret vendimi për mbylljen e një shkolle, vendime të tilla merren nëse në të vërtetë ka shumë pak nxënës atëherë për ata fëmijë duhet të organizohet transporti, nuk mund të mbyllet asnjë shkollë në vendin ku nuk ka mundësi transporti dhe ky transport duhet të paguhet nga komuna, komunat janë kompetente”, shtoi ai.

Ndërsa, ai shtoi se aty ku transporti nuk mund të sigurohet edhe një nxënës është arsye që shkolla të qëndrojë e hapur.

“Në ato pjesë ku ekziston infrastruktura rrugore, ekziston mundësia e një transporti të sigurt mund të shkohet me mbylljen e shkollave me pak nxënës, aty ku nuk ka mundësi transporti edhe me një nxënës shkolla duhet të qëndrojë e hapur”, tha Popovci.