Të premten e 21 shkurtit u mbyllën disa objekte të Qendrës për punë sociale në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, pasi dyshohej se aty ishin kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor, përkatësisht për “falsifikim të dokumenteve”.
Këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale”, tha Policia, dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Bashkimi Evropian tha se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.
BE-ja tha se është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron situatën dhe Brukseli po pret “detaje të tjera për të përcaktuar faktet”, transmeton reporteri.
“Siç kemi thënë në të kaluarën, statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. As institucionet e shëndetësisë dhe edukimit të mbështetura nga Serbia, e as strukturat e tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime bazike sociale nuk duhet të mbyllen”, thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të KE-së.
Në anën tjetër, Ambasada amerikane në Prishtinë është shqetësuar për çfarë ndodhi të premten e 21 shkurtit, dhe e quajti “veprim të pakoordinuar”.
Në reagimin në “X”, thuhet se mbylljet e këtyre zyrave janë bërë pakoordinim dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet dypalëshe.
”Ambasada e SHBA është e shqetësuar nga mbylljet e papritura dhe të pakoordinuara të zyrave të mirëqenies së Serbisë në Kosovë. Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht në mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalësh”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane sot në “X”.