Ka përfunduar dita e tretë e grevës së punëtorëve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, grevë kjo e cila filloi që nga ora 08:00 e mëngjesit.
Kryesindikalisti Bashkim Latifi për KosovaPress ka thënë se kësaj greve sot i janë përgjigjur qind për qind punëtorët grevistë. Për çka për hapat më tutje tha se do të merret një vendim gjatë ditës së sotme nga kuvendi i sindikatës.
“Pas orës 14:00 ne do ta thërrasim kuvendin e sindikatës sepse kuvendi sipas statusit të sindikatës është organi më i lartë që merr vendime. Dhe si kryetar i sindikatës edhe si kryesi, shtabi grevistë është i obliguar t’i përgjigjet kërkesës së kuvendit. Dhe çdo vendim që do ta merr kuvendi sot neve do i përgjigjem… në orën 18:00 mblidhet kuvendi, besoj në 19:00 merret ndonjë vendim. Shteret diskutimi dhe votohet unanimisht….besoj por nuk dua të mendoj që do të vijë deri tek ai vendim sepse këta kanë për të reflektuar dhe kanë me u ulë në tavolinë, ku ne bëjmë thirrje vazhdimisht të diskutojmë për kërkesat tona ligjore, për ndryshe deri në realizimin e kërkesave tona ligjore nuk besoj që do të ndalet”, tha ai.
Latifi mes tjerash tha se nuk dinë a ka pasur vonesa apo anulim të fluturimeve, megjithatë tha se punëtorët nuk kanë ofruar shërbim.
Ai e ka quajtur shqetësuese vendimin për nëntë punëtorët për të cilët Latifi insiston se janë “suspenduar”, siç e quajti ai.
“Dje menaxhmenti ka marrë një vendim katastrofal dhe ka suspenduar nëntë punëtor, të cilët për pjesëmarrje në grevë, sipas një raporti që e ka bërë shefi i ndërrimit, menaxhmenti ua ka ndaluar qasjen dje i ka suspenduar, ky është suspendim për neve, ndalimi i qasjes në punë është suspendim, ata po thonë që nuk i kemi suspenduar”, tha mes tjerash Latifi.
Latifi tha se brenda në aeroport janë të angazhuar punëtorë të jashtëm, kontraktorë, që sipas tij janë pjesë e menaxhmentit.
“Janë kontraktorë që i ka sjellë kompania ‘Limak’, që janë duke punuar punë të vrazhda nëpër rrethojë të aeroportit dhe i ka shti të ngarkojnë valixhe, të kryejnë punën e një operatori të licencuar” , vijoi ai.
Kryesindikalisti ka mohuar që është bërë presion ndaj punëtorëve që t’i bashkohen kësaj greve.