Mbyllet Gjykata Speciale, katër ditë nuk do të dëgjohet asnjë fjalë e dëshmitares

Asnjë dëshmi nga e tërë marrja në pyetje nga Prokuroria e dëshmitares së parë gjatë katër seancave të ardhshme nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar. Asnjë pyetje ndaj gruas së panjohur dhe asnjë përgjigje e saj!

Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

Prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

“Është pak proces i çuditshëm kështu”, u tha nga ana e mbrojtjes.

Gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e të tjerëve shumë herë është ankuar për dy vjet e gjysmë të mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, për redaktim masiv të informatave lidhur me akuzat, vonesa ekstreme si dhe fshehje të dëshmive shfajësuese nga Prokuroria.