Mbyllen 8 lokale në Vushtrri, Inspekcioni: Nëse vazhdojnë kështu, nuk do t’i lëmë t’i hapin më

Gjatë aksionit masiv të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit janë mbyllur disa lokale në qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa 8 lokale janë mbyllur vetëm sonte në Vushtrri.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Rrahim Ajeti, i cili tha se këto lokale e kanë vërejtjen e fundit dhe nëse vazhdojnë kështu nuk do t’i lejojnë ta vazhdojnë punën më.

“Janë mbyllur 8 lokale për shkak të mosrespektimit të masave dhe distancës dhe nuk i lejuam të punojnë hiç.  U kemi dhënë vërejtjen e fundit, nëse veç vazhdojnë kështu, nuk do t’i lejojmë t’i hapin më”, tha Ajeti.

Aksion rigoroz i Policisë dhe Inspektoratit është duke u zhvilluar në tërë Kosovën, ku edhe në Gjakovë janë mbyllur 5 lokale dhe në Prishtinë 3 lokale, pasi nuk i kanë respektuar masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.