Likoci i Skenderajt dikur shërbeu si Shtab i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky fshat është vetëm një nga vendet i cili përmendet në aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UCK-së.
Likoci, Jabllanica, Llapushniku, Llapashtica, Drenoci e vende të tjera që përmenden në aktakuzë, mund të jenë adresë e avokatëve të krerëve të UCK-së për të kryer hetime.
Madje për këtë avokati i Kadri Veselit, kishte paralajmëruar se do të krijojë ekip hetuesish që do të punonin në terren.
“Kemi identifikuar një ekspert me përvojë ndërkombëtare për hetimin e gamave për zotin Veseli që është pjesë e ekipit të mbrojtjes. Ne besojmë që do të kemi deri në gjashtë hetues që do të punojnë në terren”, kishte thënë Emerson në dhjetor të vitit të kaluar.
Avokatët e licencuar në Kosovë tregojnë se çfarë saktë mund të hetojë ky grup i krijuar nga mbrojtja e Veselit, raporton RTK.
“Sigurisht që adresë do të jenë këto vende ku Prokuroria pretendon se janë kryer krime, ky ekip hetimor do të shkojë atje dhe do të shohë nëse mund të gjejnë prova të cilat nuk përputhen me ato të zyrë së prokurorit. Por sigurisht se ata do të hulumtojnë edhe në dokumente e arkiva të ndryshme”, ka thënë Taulant Hodaj.
Por një praktikë e tillë, ka ndodhur rrallë në proceset gjyqësore në Kosovë.
“Secilën provë që e ka parashtruar Prokuroria, vend apo dokument, ky ekip del në terren dhe mundohet të gjejë prova shfajësuese në mënyrë që ta kundërshtojë aktakuzën. Tek ne në Kosovë nuk ka pasur raste të tilla, pasi që dihet se është më e vështirë edhe për shkak të gjendjes ekonomike që e kanë klientët dhe nuk mund ti mbulojnë të gjitha ato shpenzime”, është shprehur Skënder Musa.
Për të kryer hetime të tilla në terren, vlerësohet se mbrojtjes do t’i duhen së paku 6 deri në 12 muaj kohë.