Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar t’i sigurohet një version më pak i redaktuar apo i paredaktuar i amendamenteve të propozuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për ndryshim të aktakuzës, para se të njëjtës t’i kërkohet të bëjë parashtrime kuptimplotë mbi amendamentet e propozuara.
Në shkresën e së njëjtës, thuhet se mbrojtja rezervon pozicionin e saj në lidhje me amendamentet e propozuara derisa një version i tillë i aktakuzës së ndryshuar të vihet në dispozicion të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fund, thuhet se si alternativë mbrojtja kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake të refuzojë amendamentet e propozuara, pasi ZPS ka vonuar në mënyrë të pajustifikueshme paraqitjen e tyre, të cilat në mënyrë të pashmangshme ndikojnë në përgatitjet dhe hetimet efektive të Mbrojtjes.
Në bazë të shkresës së mbrojtjes, më 8 shtator 2021, ZPS paraqiti versionin konfidencial të redaktuar të parashtresave të tij në të cilat kërkon, sipas nenit 39 (8) të Ligjit dhe Rregullës 90 (1) (b) të Rregullave, lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake për ndryshimin e aktakuzës duke përfshirë pretendime të reja në lidhje me:“a) dy vende ndalimi të lidhura të vendosura në [REDAKTUARA] në ose në lidhje me të cilat anëtarët e UÇK -së kryen akte të përndjekjes, burgosjes/ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore/trajtim mizor, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë (“Kategoria e Parë”); b)dy incidente të persekutimit dhe vrasjes të kryera në lidhje me vendin e paraburgimit [REDAKTUAR] dhe një modifikim të afatit kohor për vendin e ndalimit [REDAKTUAR] (“Kategoria e dytë”) dhe c)dy incidente të pjesëmarrjes personale të të Akuzuarit në krimet e akuzuara (“Kategoria e tretë”)”,thuhet në shkresë.
Tutje, thuhet se ZPS ka parashtruar se amendamentet e propozuara mbështeten faktikisht, kontribuojnë në saktësinë, konsistencën dhe detajet e aktakuzës, janë në interes të viktimave dhe drejtësisë dhe nuk janë paragjykuese ose në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarit.
Në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.“
Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.