Mbrojtja e Jakup Krasniqit të hënën ka paraqitur fjalën përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime.
“[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë. Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.
Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.
Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.
“Si Zyrapi dhe persona të tjerë, kanë thënë që ata e lanë Blerim Kuqin në një dhomë me Krasniqin dhe dy persona tjerë dhe pastaj u largua. Ndërkohë që Zyrapi konfirmon se ai nuk e di se çfarë ka ndodhur pasi është larguar nga dhoma. Kjo në vetëvete nuk mund të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm që Krasniqi ka qenë i pranishëm në momentin e arrestimit e aq më pak nuk mund të provojë që ai ka urdhëruar arrestimin. Ai mund të jetë larguar përpara të dyja këtyre pikave kohore. Prokuroria mund të kishte marrë informacione plotësuese duke thërritur vetë Blerim Kuqin ose Fatmir Limajn që të vinin të jepnin dëshmitë e tyre për të hedhur më shumë dritë mbi atë moment arrestimi. Por Prokuroria vendosi të mos e bënte këtë.
Mungesa e tyre lë një hendek një mangësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme spekulimesh. Dokumenti P111 i referohet dezertimit dhe duhet të citoj këtu, në këto dokumente thuhet tek ata që kanë dezertuar, më konkretisht një dezertues tjetër Blerim Kuqi. Ky dokument është në përputhje me dokumente të tjera të cilat shpjegojnë arrestimin e Blerim Kuqit. Gjithashtu kur trajtojnë Tahir Zemajn, dokumenti P111 shpjegon se dezertimi është shumë shqetësues për UÇK-në. Arsyeja ishte që popullata civile, grate, fëmijët ,të vjetrit ishin të pambrojur kundër forcat serbe. Të nderuar gjykatës ju e dini se çfarë shkatërrimesh dhe çfarë vuajtjesh janë shkaktuar në zonën e Suharekës nga ofensiva serbe në shtator të 98-tës, përfshirë shtëpitë e djegura e të tjera. Të paktën, dokumentet dhe dëshmitë lënë një shpjegim të arsyeshëm alterantiv që zoti Kuqi është ndaluar për dezertim”, tha ai.









